Nga 1 prilli, rriten qiratë për bizneset në Pallatin e Rinisë

by Nexhat

Nga 1 prilli, qiramarrësit e lokaleve në Pallatin e Rinisë do të përballen me çmime të reja. Deri në 24 euro për metër katror do të jetë çmimi i ri për lokalet në vijën e parë të këtij pallati, thonë nga Ndërmarrja Publike Lokale “Pallati i Rinisë”. Bizneset thonë se kjo do t’ua rëndojë edhe më shumë barrën financiare.

Duke filluar nga 11 euro deri mbi 24 euro për metër katror, do të jenë çmimet e reja të përfshira në rregulloren e re për bizneset lokale në Pallatin e Rinisë, e cila është e ndarë në katër zona. Në zonën A çmimi do të jetë 24.65 euro, në zonën B çmimi do të jetë 18.92 euro, në zonën C çmimi do të jetë 16.23 euro dhe në zonën D çmimi do të jetë 11.87 euro. Këto tarifa do të hyjnë në fuqi nga data 1 prill.

banner

Mbi 60 biznese që operojnë në Pallatin e Rinisë, disa prej tyre do të preken ndjeshëm, duke u rrezikuar funksionimi i tyre. Gastronomia është më e prekura nga kjo rregullore.

Bedri Statovci nga pastiçeria “Piano”, që gjendet në zonën A në Pallatin e Rinisë, ka 37 vite që është pjesë e kësaj hapësire. Ai thotë se qiramarrësit në Pallatin e Rinisë kanë kontribuar për ambientet e kësaj qendre. Statovci thotë se qiraja me rregulloren e re kalon mbi 5 mijë euro, gjë e cila nuk mund të mbulohet.

“Nëse kjo ndodh, neve nuk na mbetet tjetër, përveç se t’i mbyllim lokalet, por investimet dikush duhet të na i shpaguajë. Aty nuk është bërë asnjë investim me vite të tëra, përveç nga ne pronarët. Ku e kanë caktuar zonën, nuk e di. U kam thënë se nuk e pranoj rregulloren, ua dorëzoj çelësat, m’i ktheni investimet mbi 150 mijë euro, tërhiqem menjëherë, por pa i kthyer investimet nuk e pranoj. Njerëzit kanë investuar shumë aty, andaj me i qit tash pas 30 viteve, nuk është e lehtë”, thotë Statovci.

Një nga pronarët e një biznesi të vogël në zonën B të Pallatit të Rinisë thotë se me rregulloren e re do të paguajë qira mbi 70 euro më shumë. Ai thotë se do ta pranojë këtë qira, me gjithë dëmet që i shkaktohen.

“Do të paguaj afër 72 euro më shumë. Na dëmton shumë. Vjetorja diku do të jetë rreth 1 mijë euro, punë nuk ka shumë, nuk është në dorën tonë, na kanë qit para aktit të kryer, ja pranoje ja lëshoje, e në këtë moshë timen, ku me shku?”, shprehet ai. 

Por, ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike “Pallati i Rinisë”, Shpend Bilalli, duke folur për Radio Kosovën, thotë se deri tani nuk ka pasur matje të saktë të metrit katror në të gjitha lokalet e kësaj qendre, gjë e cila i ka shkaktuar ndërmarrjes humbje mbi 40 mijë euro.

“Prej këtij procesi ka pasur mospërputhje shumë të mëdha si te pjesa e çmimeve, po ashtu edhe te pjesa e metrit katror. Na kemi kontratë me një qiramarrës që i ka mbi 500 metra katrorë, por kur është bërë matja ka dalë mbi 1 mijë metra katrorë, dhe krejt kjo i ka shkaktuar dëm pallatit mbi 40 mijë euro. Zona përballë te ‘Nju Borni’ ka pasur një çmim shumë të ulët, sipas vlerësimit që është bërë, ata do të kenë një çmim tjetër”, deklaron Bilalli.

Rregullorja e re, sipas Bilallit, nuk do t’i prekë të gjitha lokalet e Pallatit të Rinisë. Megjithatë, ai thekson se ndryshimet synojnë një menaxhim më të mirë të hapësirave dhe krijimin e kushteve më të favorshme për zhvillimin e aktiviteteve dhe investimeve të ndryshme sportive, kulturore dhe projekteve të reja/RTK

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy