Disa shtete të Gjirit, përfshirë Arabinë Saudite, Kuvajtin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarin, raportuan sot sulme të reja me raketa dhe dronë, në sfondin e përshkallëzimit të konfliktit me Iranin.
Ministria saudite e Mbrojtjes njoftoi se gjashtë raketa balistike u rrëzuan mbi rajonin al-Kharj.
Autoritetet thanë se edhe disa dronë u interceptuan kryesisht në lindje të vendit.
Në al-Kharj ndodhet baza ajrore “Prince Sultan”, e përdorur edhe nga ushtria amerikane, e cila është shënjestruar vazhdimisht nga predhat iraniane që nga fillimi i luftës.
Autoriteti i aviacionit civil të Kuvajtit tha se aeroporti ndërkombëtar i vendit u vu në shënjestër nga disa dronë të shtunën në mbrëmje, duke dëmtuar sistemin e radarit. Nuk raportohet për të lënduar.
Kuvajti ka mbyllur përkohësisht hapësirën e tij ajrore.
Emiratet e Bashkuara Arabe janë goditur më rëndë ndër shtetet e Gjirit gjatë konfliktit me Iranin.
Autoritetet në emiratën e Fujairah njoftuan se mbrojtja ajrore rrëzoi një dron, por mbetjet e tij shkaktuan një zjarr.
Porti i Fujairah është një qendër e rëndësishme për depozitimin dhe tranzitin e naftës.
Ndërkohë, ministria e Mbrojtjes e Katarit tha se vendi u vu në shënjestër nga katër raketa balistike dhe disa dronë të lëshuar nga Irani, por forcat e armatosura i interceptuan të gjitha

