Organi më i lartë i futbollit botëror, FIFA, ka miratuar disa ndryshime të rëndësishme në rregulloren e lojës për ndeshjet e ardhshme të Botërorit 2026, me synimin për të shmangur parregullsitë dhe humbjen e kohës që shpesh shfrytëzohen nga skuadrat në momentet vendimtare të ndeshjeve, bën me dije ESPN.
Vendimi i marrë nga FIFA synon të rrisë cilësinë dhe ritmin e lojës në turneun që do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Ndryshimet lidhen kryesisht me zëvendësimet, dëmtimet, rivëniet anësore dhe ndërhyrjen e teknologjisë VAR.
Zëvendësimet – Lojtarët që zëvendësohen do të kenë vetëm 10 sekonda për të dalë nga fusha. Nëse vonohen, lojtari që hyn do të duhet të presë 1 minutë para se të futet në lojë.
Rivëniet anësore – Topi duhet të hidhet në lojë brenda 5 sekondave. Nëse kjo nuk ndodh, rivënia do t’i kalojë skuadrës kundërshtare.
Trajtimi mjekësor – Futbollistët që marrin ndihmë mjekësore duhet të dalin jashtë fushës dhe të presin 1 minutë para se të rikthehen në lojë.
Ndërhyrja e VAR – Sistemi Video Assistant Referee do të ketë kompetencë të ndërhyjë edhe në rastet e kartonit të dytë të verdhë dhe në situatat e goditjeve nga këndi, nëse konstatohet një gabim i qartë i arbitrave.
Këto rregulla synojnë të penalizojnë humbjen e qëllimshme të kohës, një taktikë që shpesh përdoret nga skuadrat kur kalojnë në avantazh për të ulur ritmin e ndeshjes dhe për të tensionuar kundërshtarin.
Me ndërhyrjen më të madhe të VAR-it dhe kufizimet e reja për vonesat në lojë, FIFA synon që ndeshjet e Kupës së Botës 2026 të kenë më shumë kohë efektive loje dhe vendime më të sakta nga arbitrat, sidomos në momentet vendimtare të përballjeve.

