Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla në një intervistë ekskluzive në RTK tha se përgjegjësia për bllokadën rreth zgjedhjes së presidentit të ri të shtetit është e qartë, tek ata që, sipas saj, atë natë nuk ishin në sallën e Kuvendit të Kosovës.
“Pas muajve e muajve me radhë në vitin 2025 ku u bë një teatër i jashtëzakonshëm dhe një bllokadë fillimisht me zgjedhjen e kryetarin e Kuvendit e më pas me mos zgjedhjen e Qeverisë dhe shkuarjen e vendit në zgjedhje, me rezultat të qartë për koalicionin tonë dhe me mesazh të qartë për partitë opozitare. Nuk kam dashur të besoj në asnjë moment që një situatë e tillë mund të na përsëritet. Por, ja që ndodhemi tani në këtë situatë ku përsëri Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë se si ecin proceset përpara”, tha Gërvalla në RTK.
Kjo sipas Gërvallës, tregon për një papjekuri të jashtëzakonshme.
“Zgjedhja e presidentit duhet të jetë një ditë feste e jo një ditë bllokade. Pse ndodhemi në këtë situatë është për qytetarin e pakuptueshme, sepse çfarë duhet të bëjë qytetari më tepër. Qytetari ka dalë hy herë në zgjedhje, dhe përsëri po ballafaqohet me rrezikun që të dalë edhe njëherë të tretë”, tha ajo.
Gërvalla: Pas dështimit për president konsensual, propozuam Konjufcën si emër që bashkon
Gërvalla tutje tregoi se si erdhi deri te propozimi i Glauk Konjufcës për të parin e shtetit.
“Propozimi ynë erdhi veç në fund pasi paraprakisht ishim përpjekur të siguronim president konsensual, pasi që në fillim të procesit të gjetjes së një emri na është bërë e ditur se presidentja Osmani nuk e gëzon mbështetjen e parlamentit, pra nuk mund të sigurohen 80 apo 81 persona të pranishëm në sallë. Kemi filluar të bisedojmë edhe me PDK-në edhe me LDK-në me shpresën dhe me synimin që të gjejmë një president konsensual. Ideja fillestare ishte që, Murat Jashari, i cili është një person jo vetëm i dinjitetshëm, jo vetëm emër i një familje të madhe, por si profesor i së Drejtës Kushtetuese, edhe një person që i plotëson të gjitha kushtet për të qenë personifikimi i presidentit që qëndron mbi partitë”, tha ajo.
Por, kur kjo gjë, sipas saj nuk mundi të realizohej, dolën me emrin e Konjufcës.
“Nuk patëm sukses dhe prandaj u desh të dilnim me një emër nga radhët e koalicionit tonë. Jo me një emër dosido, jo me një emër që provokon, një emër që bashkon. Njeriu që është i dyti në Kosovë me numrin më të madh të votave qytetare të marra ndonjëherë në historinë e vendit. Ne, mendojmë që edhe kur nuk arritëm të merreshim vesh me opozitën për një president konsensual, prapë se prapë emri i Glauk Konjufcës është i tillë që do të mund të kishte ofruar mundësinë edhe për deputetët të opozitës që do të mund të qëndronin në sallë e të mos na ballafaqojnë me bllokada të mëtejme”, tha ajo./RTK

