Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, ka pranuar se përmbysja ndaj Real Madrid pas humbjes 3–0 në ndeshjen e parë është një mision tepër i vështirë, por ka theksuar se skuadra e tij duhet të besojë dhe të luftojë deri në fund në ndeshjen e kthimit në UEFA Champions League.
Në konferencën për media para ndeshjes, tekniku spanjoll u shpreh se pavarësisht vështirësisë së madhe, skuadra e tij do të përpiqet të bëjë një përmbysje të madhe.
“Duhet ta provojmë përmbysjen. Çfarë kemi për të humbur? A ka ndonjë në këtë sallë që beson te përmbysja? Është pothuajse e pamundur”, deklaroi Guardiola, duke nënvizuar se sfida është shumë e komplikuar përballë një kundërshtari si Real Madridi.
Ai theksoi se besimi është element kyç për një përballje të tillë, ndërsa shtoi se nëse lojtarët nuk besojnë te mundësia e përmbysjes, atëherë situata bëhet problematike për skuadrën.
Sipas Guardiolës, edhe pse grupi aktual nuk është i njëjtë me atë të viteve të kaluara dhe disa lojtarë janë të rinj në situata të tilla presioni, ndeshja përbën një mundësi të madhe për të treguar karakter.
Trajneri i Cityt theksoi se nuk pret të befasojë Real Madridin me ndonjë strategji të veçantë, por është më i përqendruar te mënyra se si skuadra e tij do të mbrohet dhe do të menaxhojë ndeshjen.
Ai pranoi se përmbysja e një diference prej tre golash ndaj një skuadre me përvojën e Real Madridit nuk është e lehtë, por shtoi se një rol të rëndësishëm do ta ketë edhe atmosfera në stadium.
“Duhet të krijojmë një atmosferë të zjarrtë me tifozët tanë dhe të bëjmë një ndeshje perfekte”, u shpreh Guardiola.
Në fund të deklaratës së tij, trajneri spanjoll theksoi se besimi duhet të jetë i plotë brenda ekipit, duke shtuar se ata që nuk besojnë në një përmbysje në Champions League mund të qëndrojnë në shtëpi.

