Kryeministri i entitetit serb në Bosnje dhe Hercegovinë, Savo Miniq, ka dhënë dorëheqje nga posti i tij në krye të qeverisë së Republika Sërpska. Lajmin e bëri të ditur ai personalisht gjatë një konference për media të mbajtur më 16 mars në Banja Luka.
Miniq deklaroi se për vendimin e tij është konsultuar me presidentin e Republikës Sërpska, Sinisha Karan, duke shtuar se ai pritet ta propozojë sërish për mandatar për formimin e qeverisë së re të entitetit.
Ai theksoi se mbështetet nga shumica parlamentare në Kuvendin Popullor të Republikës Sërpska dhe se dorëheqja është një hap që synon të sigurojë legalitetin dhe legjitimitetin e qeverisë. Miniq përmendi gjithashtu se ka kundërshtime nga bashkësia ndërkombëtare, pa dhënë detaje konkrete.
Dorëheqja e tij pritet të shqyrtohet nga Kuvendi Popullor i Republikës Sërpska në një seancë të thirrur për pasditen e së hënës.
Miniq është anëtar i Aleancës së Pavarur të Socialdemokratëve, parti e udhëhequr nga Milorad Dodik. Kjo është hera e dytë në muajt e fundit që ai jep dorëheqje dhe paralajmëron se do të kandidojë sërish për postin e kryeministrit.
Ai ishte emëruar kryeministër më 2 shtator të vitit të kaluar, pasi më parë kishte shërbyer si ministër i Bujqësisë në Republikën Sërpska. Megjithatë, më 23 janar Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës vendosi se qeveria e tij nuk ishte formuar në përputhje me Kushtetutën.
Sipas këtij vendimi, Miniq ishte propozuar për mandatar nga Milorad Dodik në gusht të vitit të kaluar, në një kohë kur ky i fundit pretendonte se ishte president i Republikës Sërpska. Megjithatë, sipas Kushtetutës së entitetit, mandatarin për formimin e qeverisë mund ta propozojë vetëm presidenti i Republikës Sërpska.
Dodik kishte humbur të drejtën për të ushtruar funksione publike për gjashtë vjet pas një vendimi gjyqësor që lidhej me mosrespektimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Miniq kishte dhënë dorëheqje edhe më herët, ndërsa më pas ishte propozuar sërish për kryeministër nga ushtruesja e detyrës së presidentit të Republikës Sërpska, Ana Trishiq Babiq.
Ky emërim është kundërshtuar nga deputetë të Partisë së Aksionit Demokratik dhe Fronti Demokratik në parlamentin shtetëror të Bosnje e Hercegovinës, të cilët i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar shfuqizimin e tij. Gjykata ende nuk ka marrë një vendim për këtë çështje.
Ndërkohë, nënkryetari i Republikës Sërpska, Qamil Durakoviq, ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese e Republikës Sërpska që të shqyrtojë kushtetutshmërinë e zgjedhjes së Trishiq Babiq në funksionin e ushtrueses së detyrës së presidentit, pasi Kushtetuta e entitetit nuk e njeh këtë funksion. Gjykata e Republikës Sërpska ka pezulluar më 25 shkurt procedurën për vlerësimin e këtij rasti.

