Një kapitull i vështirë është hapur për Chelsean në futbollin anglez. Premier League ka vendosur të veprojë me “grusht të hekurt” ndaj klubit londinez, duke i dhënë një sanksion historik për shkelje të rregullave financiare dhe administrative që lidhen me pagesat ndaj agjentëve dhe palëve të treta.
Pas përfundimit të dy procedimeve disiplinore, drejtuesit e kampionatit anglez vendosën që klubi të paguajë një gjobë rekord prej 12.5 milionë eurosh. Vendimi erdhi pasi vetë Chelsea pranoi se në periudhën 2011–2018 kishte kryer pagesa të parregullta që arrinin në 54.5 milionë euro, të destinuara për agjentë dhe ndërmjetës të ndryshëm.
Përveç penalitetit financiar, klubi është goditur edhe në aspektin sportiv. Chelsea nuk do të mund të transferojë futbollistë për ekipet zinxhirë dhe akademinë për një periudhë 9-mujore, ndërsa për skuadrën e parë është vendosur një bllokim i merkatos për një vit, i cili për momentin mbetet pezull dhe do të aktivizohet vetëm në rast se rregullat shkelën përsëri.
Hetimet e Premier League lidhen kryesisht me transferimet e realizuara gjatë epokës së pronarit të mëparshëm, manjatit rus Roman Abramovich, që drejtoi klubin nga viti 2003 deri në 2022. Mes marrëveshjeve të shqyrtuara nga autoritetet angleze janë edhe transferimet e disa emrave të njohur të futbollit botëror si Eden Hazard, Samuel Eto’o, Willian, Ramires, David Luiz, Andre Schurrle dhe Nemanja Matiq.
Në një komunikatë zyrtare të publikuar të hënën, Chelsea pranoi përgjegjësinë për shkeljet, duke theksuar se ato i përkasin një periudhe më shumë se një dekadë më parë, kur klubi kishte pronësi dhe strukturë tjetër drejtuese. Sipas klubit londinez, sanksionet janë pjesë e një marrëveshjeje me Premier League dhe janë pranuar pas bashkëpunimit të plotë gjatë hetimit.
Nga ana tjetër, Premier League theksoi se pagesat e parregullta nuk ishin raportuar në kohën kur u kryen dhe u zbuluan vetëm gjatë procesit të shitjes së klubit në vitin 2022, kur Abramovich u detyrua të largohej nga pronësia pas zhvillimeve gjeopolitike të lidhura me pushtimin e Ukrainës nga Rusia.
Autoritetet e kampionatit anglez morën në konsideratë faktin se Chelsea bashkëpunoi në mënyrë aktive, dorëzoi dokumente dhe pranoi shkeljet, gjë që ndikoi në vendimin për të pezulluar bllokimin e merkatos për skuadrën e parë.
Ndërkohë, klubi u shpall fajtor edhe për shkelje të rregullave që lidhen me zhvillimin e futbollistëve të rinj. Sipas hetimeve, një punonjës i klubit kishte vepruar në mënyrë të parregullt në regjistrimin e disa lojtarëve të akademisë gjatë periudhës 2019–2022. Edhe kjo çështje u raportua nga vetë klubi, duke çuar në vendimin për ndalimin e përkohshëm të transferimeve për ekipet e të rinjve.
Vendimi i fundit shërben si një paralajmërim i qartë nga Premier League se shkeljet financiare dhe administrative nuk do të tolerohen, ndërsa për Chelsean mbetet sfida për të rikthyer besimin dhe stabilitetin brenda një prej kampionateve më konkurruese në botë.

