Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka vizituar në Hagë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, dhe ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin, të cilët po mbahen në paraburgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tahiri tha se hyrja në ambientet e paraburgimit ishte një moment i rëndë dhe i mbushur me emocione, duke theksuar se takimi me ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i kujtoi sakrificën dhe historinë e tyre në rrugëtimin e vendit drejt lirisë.
Sipas tij, takimi me Thaçin dhe Veselin ishte një moment i veçantë, pasi ata kanë qenë figura kyçe në periudhat më të vështira të historisë së Kosovës.
Tahiri theksoi se pamja e tyre pas mureve të burgut, larg familjeve dhe vendit për të cilin, sipas tij, kanë sakrifikuar shumë, është prekëse dhe e rëndë për t’u përjetuar.
Megjithatë, ai shtoi se edhe në këto rrethana të vështira, qëndrimi, dinjiteti dhe besimi i tyre në të vërtetën mbeten të pathyeshme.
Në reagimin e tij, deputeti i PDK-së përmendi edhe ish-zyrtarët e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, të cilët gjithashtu po përballen me proces gjyqësor në Hagë.
Tahiri theksoi se historia e Kosovës është e lidhur ngushtë me sakrificën e tyre dhe të shumë të tjerëve, duke shtuar se, sipas tij, e vërteta dhe drejtësia do të dalin në dritë.

