Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka komentuar deklaratën e Bashkimit Evropian nga ku janë ‘’befasuar’’ me reagimin e PDK’së rreth Ligjit për të huajt.
Behrami ka thënë se PDK, është ‘’viktima më e madhe’’ e dialogut, bashkëpunimit dhe lojalitetit ndaj perëndimit, kurse në anën tjetër, ka shtuar deputeti i PDK’së, VV’ja ‘’ është përfituesja më e madhe nga konfrontimi, nga dhuna politike dhe nga besëprerja ndaj Perëndimit’’.
‘’ Me negociatat sekrete dhe pranimin e strukturave paralele, Kurti ka vendosur themelet e jetësimit të Zajednicës’’, ka shkruar ai mes tjerash, përcjell Express.
Postimi:
PDK-ja është viktima më e madhe e dialogut, bashkëpunimit dhe lojalitetit ndaj Perëndimit.
Ndërsa VV-ja është përfituesja më e madhe nga konfrontimi, nga dhuna politike dhe nga besëprerja ndaj Perëndimit.
Andaj, mos u befasoni me një standard që vetë e keni legjitimuar.
Me negociatat sekrete dhe pranimin e strukturave paralele, Kurti ka vendosur themelet e jetësimit të Zajednicës.
Ajo, bazuar në marrëveshjen e Ohrit, parasheh autonomi territoriale për veriun dhe eksteritorialitet për kishat ortodokse serbe.

