Opozita bojkotoi seancën e sotme në Kuvend, ku u miratua rezoluta e PS-së për shpalljen e Iranit shtet sponsor të terrorizmit. Por në një deklaratë për mediat, kreu i PD-së, Sali Berisha tha se PD e shpall Gardën Revolucionare të Iranit si organizatë terroriste.
Partia Demokratike e Shqipërisë ka deklaruar se Garda Revolucionare është “instrumenti kryesor i regjimit diktatorial të Ajatollahëve për terrorizëm dhe dhunë”, ndërsa shteti iranian cilësohet si sponsor i madh i terrorizmit global dhe kërcënim për paqen e stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe më gjerë.
“Partia Demokratike e Shqipërisë shpall Gardën Revolucionare të regjimit diktatorial të Teheranit si organizatë terroriste. Ajo e cilëson shtetin obskurantist të Ajatollahëve si sponsorin kryesor të terrorizmit në botë dhe një kërcënim madhor për paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe kudo në glob”, thekson PD.
Partia Demokratike e Shqipërisë dënon me forcën më të madhe sulmet e Teheranit ndaj vendeve të Gjirit Persik, Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe, Katarit, Kuvajtit, Bahrejnit dhe vendeve të tjera mike të Shqipërisë dhe ju shpreh ketyre vendeve solidaritetin e saj të plotë.
“Partia Demokratike mbështet përpjekjet e SHBA-së dhe Izraelit për përmbysjen e diktaturës mizore teokratike të Ajatollahëve dhe zëvendësimin e këtij regjimi me një qeveri të zgjedhur nga populli si një kontribut madhor për çlirimin e popullit iranian, si dhe për garantimin e paqes dhe stabilitetit në rajon e më gjerë”, thuhet në deklaratë

