Bashkimi Evropian do të ndihmojë në rihapjen e tubacionit të naftës “Druzhba” (“Miqësia”), i cili transporton naftë ruse në Hungari dhe Sllovaki, por është dëmtuar në Ukrainë, dhe ky është një kusht i vendosur nga Budapesti për heqjen e vetos së saj për një kredi të BE-së prej 90 miliardë eurosh për Kievin, njoftoi sot presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“BE i ka ofruar Ukrainës mbështetje teknike dhe financim. Ukrainasit e kanë mirëpritur dhe pranuar këtë ofertë. Ekspertët evropianë janë menjëherë të disponueshëm”, tha ajo në një deklaratë të nënshkruar gjithashtu nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa dhe të shoqëruar nga një letër nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ku shprehte dakordësinë e tij.
“Shpresojmë që ndihma e BE-së mund të hapë rrugën për zgjidhjen e bllokimit aktual dhe të sigurojë riparimin e shpejtë të tubacionit”, theksuan dy udhëheqësit evropianë në një letër drejtuar presidentit Zelensky.
Hungaria, e cila, së bashku me Sllovakinë, mori një përjashtim nga BE për të vazhduar blerjen e naftës ruse, vuri veton ndaj kësaj kredie, thelbësore që Ukraina të vazhdojë financimin e luftës, derisa të rifillojnë këto dërgesa nafte.
Që nga 27 janari, kur tubacioni “Druzhba” u dëmtua nga sulmet ajrore ruse, janë bërë kontakte të shumta midis Brukselit dhe Budapestit, por pa sukses.
Budapesi dhe Bratislava gjithashtu po bllokojnë, për të njëjtat arsye që lidhen me tubacionin “Druzhba”, miratimin formal të sanksioneve të reja ekonomike kundër Rusisë, të cilat janë miratuar nga vendet e tjera të BE-së.

