Klinika e Pediatrisë ka njoftuar se 5 vjeçari nga Lipjani që dyshohet se është keqtrajtuar nga prindërit e tij, i është nënshtruar intervenimit të nevojshëm kirurgjik në nivel të shputave nga ekipet specialistike të Ortopedisë dhe Kirurgjisë Plastike.
Përmes këtij njoftimi, ata kanë thënë se intervenimi sapo ka përfunduar dhe është realizuar sipas indikacioneve mjekësore.
“Gjatë procedurës kirurgjikale, gjendja e pacientit ka qenë stabile. Pas përfundimit të intervenimit, pacienti është transferuar në Kujdesin Intensiv Pediatrik, ku po vazhdon trajtimin, mbikëqyrjen dhe përkujdesjen e mëtejme postoperatore”, ka njoftuar Klinika e Pediatrisë.
Autoritetet shëndetësore bëjnë të ditur se, për shkak të ndjeshmërisë së rastit, aktualisht nuk mund të ofrohen më shumë detaje. Çdo informacion i mëtejmë për gjendjen e pacientit do të bëhet publik vetëm përmes Zyrës për Informim pranë SHSKUK-së.

