Gjykata e Apelit ka vendosur që tre shtetasit e Shqipërisë, të dyshuar për shpëlarje parash, të dërgohen në paraburgim, pasi u kapën me rreth një milion euro para të padeklaruara në pikëkalimin kufitar në Merdarë.
Vendimi është marrë të mërkurën nga një trup gjykues i Departamentit Special të Apelit, duke ndryshuar aktvendimin e mëparshëm të Gjykates Themelore në Prishtinë, e cila kishte refuzuar kërkesën për paraburgim dhe i kishte lënë të dyshuarit në liri.
Të dyshuarit, Aurel Kaziu, Ardit Laska dhe Edmir Ahmagjokaj, në mesin e të cilëve një oficer i Policisë së Shqipërisë, po hetohen për veprën penale të shpëlarjes së parave.
Rasti daton nga 24 shkurti, kur ata u arrestuan nga autoritetet kufitare pasi në furgonin me të cilin udhëtonin u zbuluan rreth një milion euro të fshehura dhe të padeklaruara. Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, paratë ishin vendosur në një hapësirë të improvizuar brenda automjetit.
Procedura gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë ka kaluar në disa faza. Fillimisht, kërkesa e Prokurorisë për paraburgim ishte refuzuar nga Gjykata Themelore me arsyetimin se nuk ishin paraqitur prova të mjaftueshme për bazën e dyshimit. Edhe pas kthimit të lëndës në rivendosje, e njëjta gjykatë kishte mbajtur qëndrimin e saj.
Megjithatë, me vendimin e fundit, Apeli ka vendosur ndryshimin e masës, duke urdhëruar paraburgimin për tre të dyshuarit, ndërsa hetimet për rastin pritet të vazhdojnë në ditët në vijim.
Rasti është duke u trajtuar nga prokurorja Shenaj Berisha, ndërsa në procedurën paraprake ka qenë i angazhuar gjyqtari Leon Përlaska. Vendimi në Apel është marrë nga një kolegj i kryesuar nga gjyqtarja Afërdita Bytyçi.

