Më 27 qershor të këtij viti në “MHP Arena” në Ludwigsburg pranë Stuttgartit, do të mbahet eventi i madh i boksit “Showdown for Legacy IV”, ku në qendër të vëmendjes do të jetë boksieri shqiptar Ardian Krasniqi, i cili do të luftojë për titullin e kampionit të Evropës.
Për Krasniqin kjo përballje konsiderohet një moment vendimtar në karrierën e tij.
Aktualisht i renditur si numri 6 në botë, Krasniqi është shumë pranë elitës së boksit ndërkombëtar. Një fitore në këtë meç do ta afronte atë edhe më shumë me majat e këtij sporti dhe do ta vendoste në mesin e sfidantëve potencialë për kampionin aktual botëror, Dmitry Bivol.
“Jam jashtëzakonisht krenar për këtë moment. Ky është shpërblimi për vite sakrifice, pune dhe besimi. E ndjej mbështetjen e çdo shqiptari, kudo që ndodhet”, ka theksuar Ardian Krasniqi lidhur me këtë event.
Flamujt kuqezi pritet të valëviten në tribunat e Ludwigsburgut, ndërsa mijëra zemra do të rrahin si një.
Eventi organizohet nga “Primetime Promotion”, me mbështetjen dhe trashëgiminë e një emri të madh të boksit shqiptar, Luan Krasniqi, një inspirim dhe shtyllë e fortë në rrugëtimin e Ardianit.
Arber Krasniqi, drejtor i “PrimeTime Promotion” po ashtu e pret me shumë entuziazëm këtë event:
“Jemi shumë të lumtur që kemi mundësinë të planifikojmë një event kaq të madh dhe ta organizojmë më 27 qershor në ‘MHP Arena’. Kjo është arena ku dikur ka boksuar edhe Luan Krasniqi, dhe atë mbrëmje pritet që rreth 5.000 spektatorë të përjetojnë një spektakël të vërtetë boksi”, tha ai.
Një qëllim i veçantë i organizatorëve është mbështetja dhe promovimi i boksierëve shqiptarë në rajon. “Ne dëshirojmë t’i mbështesim sportistët shqiptarë në rajonin tonë dhe t’i ndihmojmë në rrugën e tyre drejt suksesit. Për këtë arsye kemi vendosur me vetëdije që në këtë mbrëmje të organizojmë 12 ndeshje, ku tetë boksierë shqiptarë do të jenë pjesë e kartës së ndeshjeve”, theksoi tutje ai.
Ndër emrat e spikatur është edhe Bujar Tahiri, i renditur i pari në Gjermani dhe në mesin e 50 më të mirëve në botë në peshën e mesme, i cili do të luftojë për një titull të rëndësishëm ndërkombëtar.
Po ashtu, në ring do të ngjitet edhe Viktor Cakiqi, 23-vjeçar, një nga talentet më premtues në kategorinë welter, i renditur i pari në Gjermani dhe në top 30 në botë.
Në këtë event do të marrin pjesë edhe boksierët Fatlum Dreshaj, Arian Ejupi, Fidaim Brahimi dhe Eris Bajra, duke e bërë këtë mbrëmje një platformë të rëndësishme për promovimin e talenteve shqiptare në arenën ndërkombëtare.
RTK ka marrëveshje me organizatorët e këtij eventi dhe ekipi i TV-së tashmë ka filluar përgatitjet rreth transmetimit të këtij eventi

