Ekspertja shqiptare e teknologjisë, Drena Kusari, ka marrë një rol të ri të rëndësishëm në gjigantin global Microsoft, duke u emëruar Corporate Vice President dhe General Manager.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Kusari përmes një postimi në rrjetin profesional LinkedIn, ku ka shprehur entuziazmin për nisjen e këtij kapitulli të ri në karrierën e saj. Ky pozicion konsiderohet ndër nivelet më të larta drejtuese në strukturën e kompanisë, duke e renditur atë në mesin e drejtuesve të lartë të një prej kompanive më të mëdha të teknologjisë në botë.
Emërimi i saj vlerësohet si një tjetër arritje e rëndësishme për profesionistët shqiptarë në industrinë globale të teknologjisë, si dhe një shembull i suksesit të grave në pozita udhëheqëse.
E lindur dhe e rritur në Gjakovë, Kusari u shpërngul në Shtetet e Bashkuara në vitin 1999, pas luftës. Ajo ka përfunduar studimet në Occidental College në drejtimet Ekonomi dhe Diplomaci, ndërsa më pas ka marrë MBA nga Harvard Business School.
Gjatë karrierës së saj, Kusari ka punuar në disa prej kompanive më të njohura globale, përfshirë Goldman Sachs si analiste financiare dhe McKinsey & Company si konsulente strategjie për kompani Fortune 500. Ajo ka mbajtur gjithashtu role drejtuese në Lyft dhe Bumble, ku është dalluar për udhëheqje dhe zhvillim strategjik.
Ky zhvillim shënon një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e saj dhe një moment krenarie për komunitetin shqiptar në arenën ndërkombëtare të teknologjisë.

