Mbi 83 mijë nënshkrime për peticionin e OVL-UÇK-së, Gucati: E ka nënshkruar edhe një serb

by informim peje

Mbi 83 mijë nënshkrime janë mbledhur deri më tani në kuadër të Peticionit Kombëtar të iniciuar nga Organizatat e Veteranëve të Luftës, që do t’i drejtohet Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, në një intervistë për Ekonomia Online, i cili ka treguar se peticioni është nënshkruar edhe nga një pjesëtar i komunitetit serb.

banner

Ai tha se procesi i mbledhjes së nënshkrimeve po ecën mirë dhe se afati përfundon në fund të muajit prill.

“Deri më tash është duke shkuar mirë. Unë kam dëshirë të shkojë edhe më mirë, por mirë po ecën. Në bazë të informacionit që kemi, vetëm në Kosovë jemi mbi 83,000 nënshkrime deri në këto momente, pra për një afat rreth trejavor, nëse nuk gaboj. Pa llogaritur Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Preshevën, Medvegjën e Bujanocin, por edhe diasporën. Në mënyrë online janë mbi 26,300, nëse nuk gaboj. Në Shqipëri ende nuk kam marrë informacionet se deri ku ka arritur. Duhet t’i falënderoj qytetarët e Shqipërisë dhe ata që po na ndihmojnë shumë atje. Kështu që po shihet një interesim i madh. Ne kemi afat edhe një muaj, pra deri në fund të muajit prill. Në fund të muajit prill do t’i përgatisim dhe do t’i dërgojmë për në Hagë, apo për ata që na i dërgojnë në Dhomat Speciale”, tha ai.

Gucati theksoi se motivi i peticionit është të dëshmohet mbështetja qytetare për ish-krerët e UÇK-së dhe të kundërshtohet narrativa, siç tha ai, se ata nuk gëzojnë mbështetje.

“Motivi është, kuptohet, edhe protestat kanë pasur gjithmonë një motiv: të tregojnë realitetin. Gjykatës Speciale t’i dëshmohet që qytetarët shqiptarë janë në mbështetje të UÇK-së, pra janë në mbështetje të krerëve të shtetit dhe të krerëve të UÇK-së, dhe jo ashtu siç është thënë në atë kohë nga Xhek Smithi dhe të tjerët, që nuk kanë mbështetje nga qytetarët, apo edhe vetë Trandafilova. Motivi është të tregojmë një realitet, të dalë në pah një e vërtetë: që krerët e UÇK-së nuk kanë bërë krime lufte dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka qenë organizatë kriminale, por organizatë çlirimtare e vendit dhe e kombit. Protestat mund të nxjerrin 50 mijë, 60 mijë, madje 100 mijë apo 200 mijë njerëz, por kur të dërgohen atje afër gjysmë milioni nënshkrime, apo mbi gjysmë milioni, atëherë dihet pesha e tyre. Edhe vetë gjyqtarët do ta shqyrtojnë këtë pjesë. Kjo duhet të verifikohet me nënshkrimet atje, që ata vetë të binden se ka pasur mbështetje të madhe si nga pjesëtarët e luftës, ashtu edhe nga qytetarët. Ky është një proces që po e bëjmë: nënshkrimi është i fundit. Ne kemi bërë gjashtë protesta, dy aksione dhe tani edhe nënshkrimin. Pra, mirë po ecim. I falënderoj të gjithë qytetarët që po gjejnë kohë dhe po përgjigjen, po nënshkruajnë dhe po shkojnë nëpër organizata”, tha ai.

Ai bëri të ditur se nënshkrimet po mblidhen edhe derë më derë nëpër fshatra nga aktivistët e degëve të OVL-UÇK-së.

“Ne kemi bërë një iniciativë tjetër. Iniciativa jonë është që nëpër fshatra po punohet shumë. Njerëzit nga degët e Kosovës kanë marrë iniciativë, kanë dalë në terren, janë nëpër sheshe, por pjesa dërrmuese po shkon me makina: tre-katër vetë shkojnë nëpër fshatra dhe punojnë në zona të ndryshme, duke mbledhur nënshkrime derë më derë, shtëpi më shtëpi”, tha ai.

Gucati u bëri thirrje qytetarëve që të nënshkruajnë peticionin, duke theksuar se procedura online zgjat vetëm një minutë.

“Thirrja ime është për qytetarët: ju bëj apel të gjithë qytetarëve që të mos hezitojnë t’i kushtojnë një minutë kohë nënshkrimit. Online e keni shumë më të shpejtë për të aplikuar apo për të nënshkruar, është vetëm një minutë punë. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve që ta nënshkruajnë dhe të mos hezitojnë. Dua t’i falënderoj edhe universitetet tona në Kosovë, në Shqipëri dhe në Maqedoni, si dhe njerëzit që po punojnë shumë këto ditë. Edhe liderët tanë këtu në Kosovë, si Ramush Haradinaj, Bedri Hamza dhe të tjerë”, tha ai.

Ai bëri të ditur se peticioni është nënshkruar edhe nga një pjesëtar i komunitetit serb, i cili, sipas tij, ka shprehur gatishmëri për të dëshmuar në Hagë.

“Po jua them me sinqeritetin më të madh, kemi edhe nga komuniteti serb. Do ta bëj publike më vonë, kur ta marr listën nga një komunë, ku do ta shihni edhe emrin e atij që ka nënshkruar. Një pjesëtar i një komuniteti tjetër ka nënshkruar peticionin dhe ka thënë: ‘Nëse më thërret gjykata, do të shkoj të dëshmoj dhe të them: lironi njerëzit që janë të pafajshëm; krime ka bërë Serbia.’ Është nga komuniteti serb, me emër e mbiemër. Ka bërë edhe thirrje në komunën e Klinës. Kjo është e vërtetë. Për ne është një sukses i madh që po shohim vetëdijesimin e njerëzve, duke pasur parasysh që Kosova është vend i të gjithëve. Në Kosovë kanë të drejtë të gjithë, përveç atyre që kanë bërë krime. Ata që nuk kanë bërë krime dhe që ia duan të mirën vendit mund të jetojnë këtu”, tha ai.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka nisur Peticionin Kombëtar drejtuar Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë më 25 shkurt.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy