Prokuroria Speciale ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj Arbër Blakçorit, i dyshuar për shpëlarjen e mbi 2 milionë eurove përmes shitjes së avio-biletave.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, ka konfirmuar për Reporter paraqitjen e kërkesës për paraburgim.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ju njofton se ndaj të dyshuarit A.B për kryerjen e veprës penale “shpëlarje e parave”, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e Lutës.
Reporteri.net ka dërguar pyetje edhe në Gjykatën Themelore të Prishtinës, përmes zëdhënëses Mirlinda Gashi, për të marrë vesh nëse është vendosur mbi këtë kërkesë, mirëpo deri në momentin e publikimit të tekstit s’ka marrë përgjigje.
Blakçori është arrestuar nga Policia e Kosovës, më 17 mars.
I njëjti dyshohet se paratë e përfituara përmes mashtrimeve të qytetarëve në Gjermani dhe Kosovë, i kishte deponuar në formë të parasë së gatshme në llogaritë bankare të subjekteve në pronësi të tij. Mashtrimet dyshohet se kanë ndodhur nga viti 2015 deri në vitin 2019.
Në njoftimin e përbashkët të lëshuar nga Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës theksohet se nga hetimet financiare rezulton se Blakçori ka kryer deponime në para të gatshme në vlerë 800 mijë euro, për të cilat nuk është dëshmuar prejardhja.
“Kompanitë e përdorura për këtë skemë kanë rezultuar se janë në pronësi të të dyshuarit i cili është arrestuar. Vlera totale e parave që dyshohet se janë pastruar përmes kompanive tejkalon shumën prej 2,000,000.00 euro (dy milion euro), po ashtu nga hetimet financiare rezulton se vetë i dyshuari po ashtu ka kryer deponime në para të gatshme mbi 800,000.00 euro (tetëqind mijë euro) për të cilat nuk është dëshmuar prejardhja e tyre dhe të njëjtat nuk janë justifikuar me aktivitetin ekonomik të deklaruar”, thuhet në njoftim.
Ndaj Blakçorit ishte ngritur një aktakuzë në vitin 2022, për mashtrime me bileta ndaj mërgimtarëve, në cilësinë e menaxherit të agjencisë “Prishtina Jet”.
Mentor Kazazi, pronar i “Prishtina Jet”, Arbër Blakçori, menaxher i agjencisë, Stefanie Zabeli, dhe Nestret Hoxha, akuzoheshin për veprën penale “Mashtrimi”, ndërsa Kazazi, po ashtu për veprën penale “Shmangie nga tatimi”.
Sipas prokurorisë të pandehurit nga viti 2020, në vazhdimësi e deri më 4 gusht 2022, përmes Agjencisë Turistike “Prishtina Jet sh.p.k”, pas një marrëveshjeje paraprake dhe në bashkëkryerje, me qëllim që vetit t’i sjellin përfitim pasuror në mënyrë të kundërligjshme, i kanë vënë në lajthim 242 bashkatdhetarë.
Sipas aktakuzës, Blakçori si menaxher i agjencisë, bashkë me të tjerët u kanë shitur të dëmtuarve bileta fiktive për udhëtim me aeroplan nga shtetet e Gjermanisë dhe atë të Zvicrës për në Prishtinë dhe anasjelltas, të cilët përmes reklamimit në ëebsajtin e tyre dhe sms-ave u kanë dërguar të dëmtuarve oferta joshëse për blerje të biletave fiktive me një çmim më të lirë se sa çmimi real, të cilat fluturime nuk janë realizuar asnjëherë ngase nuk kanë qenë të planifikuara e as të rezervuara apo të konfirmuara.

