Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës në futboll, Franco Foda, ka shpallur listën e lojtarëve për ndeshjet e plejofit për kualifikim në Kupën e Botës FIFA 2026. Në listën e publikuar shihet se ekipi përballet me disa mungesa të rëndësishme.
Në këtë grumbullim, Kosova nuk do të mund të llogarisë në kapitenin Amir Rrahmani, si dhe në mesfushorin Leon Avdullahu. Gjithashtu, mungon edhe Muharrem Jashari, duke e dobësuar më tej skuadrën para sfidave vendimtare.
Ndërkohë, lajme pozitive vijnë me rikthimin e mbrojtësit të krahut Florent Hadërgjonaj dhe mesfushorit Vesel Demaku, të cilët i shtojnë alternativa trajnerit në formacion.
“Dardanët” do të përballen më 26 mars në Bratislavë ndaj Përfaqësueses së Sllovakisë në futboll. Ndërkohë, më 31 mars në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, Kosova mund të përballet me Përfaqësuesen e Turqisë ose Përfaqësuesen e Rumanisë nëse e kalon pengesën e parë, Sllovakinë.
Në rast të fitores ndaj Sllovakisë, ndeshja e 31 marsit në Prishtinë do të jetë vendimtare për kualifikimin historik të Kosovës në Botëror.

