Policia e Kosovës ka njoftuar se ka realizuar me sukses një transferim dhe tri ekstradime të personave të dënuar dhe të kërkuar nga shtete të ndryshme, në bashkëpunim me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë.
Sipas njoftimit, më 16 mars është realizuar transferimi i një shtetasi kosovar nga Italia, i dënuar për vepra të rënda në fushën e narkotikëve. Pas kthimit në Kosovë, ai i është dorëzuar Shërbimit Korrektues të Kosovës për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit prej mbi 16 vjet burgim.
Ndërkohë, më 18 mars janë realizuar dy ekstradime. Një shtetas kosovar është ekstraduar nga Shqipëria, i kërkuar për veprën penale “legalizimi i përmbajtjes së rreme”, ndërsa një tjetër është ekstraduar nga Gjermania, i dënuar për veprën penale të grabitjes dhe i dënuar me një vit burgim.
Po ashtu, më 19 mars është realizuar edhe një ekstradim tjetër nga Gjermania, ku një shtetas kosovar i kërkuar për veprat penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” është dorëzuar tek njësitë përkatëse policore për procedim të mëtejmë.
Autoritetet theksuan se këto operacione janë rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërkombëtar dhe angazhimit të institucioneve të drejtësisë për të siguruar që personat e kërkuar të përballen me ligjin.

