Qeveria e Shqipërisë ka vendosur të ulë akcizën e naftës me 20%, duke e reduktuar nga 39.6 lekë për litër, në një masë që synon kontrollin e çmimeve të karburanteve në treg. Vendimi u njoftua nga Delina Ibrahimaj, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, gjatë një interviste në media.
Ministrja bëri të ditur se është ringritur edhe Bordi i Transparencës për monitorimin e çmimeve të karburanteve dhe për të garantuar se tregu nuk do të abuzojë me marzhet e fitimit. “Për çmimin e shumicës do të ketë marzh 3 lekë për litër, ndërsa për çmimin e pakicës 12 lekë për litër. Ky mekanizëm do të sigurojë kontroll dhe stabilitet të çmimeve”, deklaroi ajo.
Ibrahimaj theksoi se, që nga nisja e konfliktit në Lindjen e Mesme, qeveria ka ngritur një Taskforcë për monitorimin e çmimeve dhe nuk ka konstatuar spekulime nga kompanitë e karburanteve, pavarësisht rritjes globale prej 80% në bursat ndërkombëtare. Në tregun vendas, çmimet janë rritur vetëm me 24%, ndërsa marzhi i fitimit të kompanive llogaritet rreth 8-9%, një nivel i pranueshëm sipas ministrisë.
Po ashtu, qeveria po punon për ngritjen e një enti publik për rezervat e karburantit, i cili do të sigurojë rezervat detyruese të karburantit. Draftligji për këtë ent është në konsultim publik.
Sipas ministres, deri tani nuk ka pasur rritje të çmimeve të ushqimeve, por qeveria është e gatshme të ndërhyjë me paketa mbështetëse për kategoritë në nevojë dhe pensionistët, në rast të ndonjë rritjeje të mundshme.
Në tregun me pakicë sot, nafta shitet me 214 lekë për litër.

