Në ditën e parë të pranverës, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka uruar qytetarët për stinën e re, duke theksuar rëndësinë e angazhimit të përbashkët për një mjedis më të pastër dhe më të bukur.
Sipas tij, kjo ditë është shënuar ndryshe këtë vit, pasi së bashku me fëmijët e kryeqytetit janë mbjellë lulet e para për sezonin pranveror. Ai theksoi se kjo nismë nuk ka vetëm vlerë estetike, por edhe edukative, pasi ndihmon në zhvillimin e kulturës së përbashkët dhe përgjegjësisë ndaj hapësirave publike.
“Fëmijët duhet të rriten duke e ditur se hapësira publike është e përbashkët. Ajo është e jona, prandaj duhet ta mbrojmë, të kujdesemi për të dhe ta respektojmë çdo ditë,” u shpreh Rama.
Kjo iniciativë synon të ndërgjegjësojë brezat e rinj për rëndësinë e mjedisit dhe të nxisë qytetarët që të kontribuojnë aktivisht në mirëmbajtjen e hapësirave të përbashkëta urbane.

