Rafuna paralajmëron rritje çmimesh: Qeveria të përgatisë urgjentisht paketë mbështetëse

by engel

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka paralajmëruar se zhvillimet e fundit globale, veçanërisht lufta në Iran dhe tensionet në Ngushticën e Hormuzit, mund të shkaktojnë rritje të ndjeshme të çmimeve në Kosovë.

Në një deklaratë për media, Rafuna theksoi se megjithëse Kosova nuk ka transport të drejtpërdrejtë përmes kësaj ngushtice, ndikimi reflektohet përmes tregjeve evropiane dhe bursave ndërkombëtare, duke ndikuar drejtpërdrejt në çmimin e naftës dhe energjisë.

banner

Ai paralajmëroi se rritja e çmimit të karburanteve përkthehet në rritje të kostove operative për bizneset, gjë që më pas reflektohet në çmimet e produkteve dhe rritjen e inflacionit. Sipas tij, një pjesë e konsiderueshme e tregtisë globale të energjisë kalon përmes Ngushticës së Hormuzit, duke e bërë situatën edhe më të ndjeshme për ekonomitë e vogla si ajo e Kosovës.

Rafuna i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të përgatisë sa më parë një paketë mbështetëse për bizneset dhe qytetarët, sidomos në rast të rritjes së çmimit të energjisë elektrike, për të cilën tha se ka pasur paralajmërime shqetësuese.

Ai kritikoi gjithashtu mungesën e transparencës dhe komunikimit nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë lidhur me mundësinë e rritjes së çmimeve nga 1 prilli.

Sipas Rafunës, një rritje e tillë do të ishte goditje e rëndë për ekonominë, në një kohë kur vendi përballet me rritje të ulët ekonomike dhe inflacion në rritje. Ai theksoi nevojën për rritje të investimeve publike dhe private, si dhe për indeksim të pagave në përputhje me inflacionin, në mënyrë që të mbrohet standardi jetësor i qytetarëve.

Rafuna përfundoi se masat parandaluese janë të domosdoshme për të zbutur efektet e krizës globale dhe për të ruajtur stabilitetin ekonomik në vend.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy