Pavarësisht bllokadës institucionale dhe mungesës së aktivitetit, deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të përfitojnë paga të plota për muajin mars, duke i kushtuar buxhetit të shtetit mbi 200 mijë euro.
Situata vjen në kohën kur pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila ka vendosur masë të përkohshme që ndalon çdo veprim të institucioneve lidhur me zhvillimet e fundit politike. Si pasojë, që nga 9 marsi deputetët nuk kanë zhvilluar asnjë aktivitet parlamentar, megjithatë pagesat për ta vazhdojnë normalisht.
Sipas të dhënave, gjatë muajit shkurt paga totale për 120 deputetët ka arritur në mbi 182 mijë euro, ndërsa për 26 zyrtarë të stafit mbështetës janë shpenzuar mbi 14 mijë euro. Për muajin mars, kjo shifër pritet të rritet në rreth 200 mijë euro, përfshirë pagat bazë dhe shtesat për përvojë pune.
Deputetët e legjislaturës së dhjetë u betuan më 11 shkurt, duke marrë përsipër ushtrimin e detyrës së tyre, mirëpo zhvillimet e fundit kanë çuar në një bllokadë të plotë të punës së Kuvendit.
Monitorues të punës së institucioneve e konsiderojnë këtë situatë të paprecedentë, duke theksuar se përfitimi i pagave pa angazhim konkret ngre pikëpyetje serioze mbi përgjegjësinë dhe llogaridhënien e përfaqësuesve të qytetarëve.
Paga bazë e një deputeti në Kosovë është 1,914 euro, ndërsa buxheti i shtetit mbulon edhe shpenzimet për stafin mbështetës. Vetëm gjatë vitit të kaluar, mbi 1 milion euro janë shpenzuar për pagat e deputetëve, në një periudhë të shoqëruar me ngërç politik dhe mungesë të rezultateve konkrete në punën legjislative.
Analistët paralajmërojnë se vazhdimi i kësaj situate mund të dëmtojë besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore dhe të thellojë krizën e legjitimitetit politik në vend.

