Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka publikuar të dhëna mbi importin e naftës në Kosovë për muajt janar dhe shkurt të vitit 2026, duke ngritur shqetësime mbi të hyrat që shteti përfiton nga ky sektor.
Në një postim publik, Ymeri bëri të ditur se gjatë 59 ditëve të para të vitit, Kosova ka importuar naftë në vlerë prej mbi 61 milionë eurosh. Ajo saktësoi: “Për informatë, në Janar dhe Shkurt 2026, Kosova ka importuar 61,391,073.08 euro naftë ose 61 milionë të deklaruar në Doganën e Kosovës për 59 ditë.”
Sipas deputetes, nga kjo sasi janë mbledhur dhjetëra milionë euro përmes akcizës dhe TVSh-së. “Akcizë për këtë sasi nafte (97,936,389 litra) është marrë 41,363,576.37 ose 41 milionë. TVSH për këtë vlerë të deklaruar importi është marrë 18,336,961.53 ose 18 milionë,” theksoi Ymeri.
Ajo vlerësoi se këto shifra shpjegojnë edhe qasjen e institucioneve ndaj çmimit të naftës. “Tash mund ta kuptoni pse qeveria edhe injoron këtë lloj mundësie, sepse arkëtimi është në shuma marramendëse,” deklaroi Ymeri, duke shtuar se rritja e çmimeve ndikon drejtpërdrejt edhe në të hyrat nga TVSh-ja.
Deputetja reagoi edhe ndaj debatit mbi mënyrën e mbledhjes së TVSh-së, duke theksuar se qytetarët e paguajnë këtë tatim në fund. “Ligjëratat se si TVSh nuk e merr shteti i kurseni, ju lutem, se TVSh-në e paguajmë ne si qytetarë në fund – ky është konteksti sot për sot,” shtoi ajo.
Ky reagim vjen në një moment kur diskutimet për çmimin e naftës dhe ndikimin e tij në ekonomi janë bërë gjithnjë e më të pranishme në opinionin publik dhe në media.

