Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ambasadorin e Zvicrës, Jürg Sprecher, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet dy shteteve.
Kryeministri Kurti e cilësoi Zvicrën si një nga partnerët më të çmuar të Kosovës dhe shtoi se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta, përfshirë sundimin e ligjit, qeverisjen demokratike dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Ai shprehu gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin në mandatin e tij të ri dhe falënderoi ambasadorin Sprecher për mbështetjen e vazhdueshme përmes KFOR-it dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).
Sipas programit katërvjeçar, Zvicra ka të zotuara për Kosovën 86 milionë euro, ndërsa për periudhën 2026-2029 janë premtuar mbi 64 milionë euro të tjera.
Ambasadori Sprecher uroi kryeministrin Kurti për mandatin e ri dhe siguroi se Zvicra do të punojë ngushtë me institucionet demokratike të Kosovës. Në takim u diskutua edhe për rolin e mërgatës kosovare në Zvicër si një urë lidhëse mes dy shteteve dhe për Marrëveshjen për Tregti të Lirë – EFTA, e nënshkruar në janar 2025 në Davos, por ende e papratikuar nga Kuvendi i Kosovës.
Zvicra mbetet burimi i dytë më i madh i investimeve të huaja direkte në Kosovë, ndërsa rreth një e pesta e remitencave totale vijnë nga mërgata kosovare në këtë vend, duke konfirmuar rëndësinë e partneritetit ekonomik dhe politik ndërmjet dy shteteve.

