Kylian Mbappé ka siguruar se është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi në gju, pavarësisht spekulimeve të shumta javët e fundit.
“Gjuri im është shumë mirë tash. Gjithçka po shkon mirë, edhe pse e di që ka pasur shumë spekulime dhe janë thënë gjëra të pavërteta. Kjo është jeta e një sportisti të nivelit të lartë, jemi mësuar me njerëz që flasin pa verifikuar,” u shpreh ai në një event promovues në Francë.
Sulmuesi i Real Madridit shtoi se është “100% i rikuperuar”, duke treguar se ka ndjekur një plan të detajuar rikuperimi.
“Pata mundësinë të merrja një diagnozë të mirë në Paris dhe së bashku ndërtuam një plan për t’u rikthyer në nivelin më të lartë me Real Madridin dhe gjithashtu për Kupën e Botës”, shtoi ai.
Mbappé ka pasur minuta të kufizuara së fundmi, duke hyrë nga stoli në derbi dhe në fitoren ndaj Manchester Cityt në “Etihad”.
Tani ai është bashkuar me kombëtaren e Francës, e cila do të zhvillojë dy ndeshje miqësore gjatë kësaj periudhe: fillimisht ndaj Brazilit dhe më pas kundër Kolumbisë në SHBA.
Mbetet për t’u parë sa minuta do t’i japë trajneri Didier Deschamps yllit francez, pas menaxhimit të kujdesshëm nga ana e trajnerit të Real Madridit, Álvaro Arbeloa, në dy ndeshjet e fundit që përfunduan me fitore, pavarësisht rolit të kufizuar të Mbappé.

