Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar ish-sekretaren amerikane të shtetit, Madeleine Albright, në katërvjetorin e ndarjes së saj nga jeta, duke e cilësuar si një ndër figurat më të rëndësishme në mbështetje të Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Osmani vlerësoi kontributin e Albright në momentet më të vështira për vendin, duke e përshkruar atë si një “kampione të madhe të lirisë” dhe “mikeshë të vërtetë të Kosovës”.
Ajo theksoi se në kohën kur Kosova kishte më së shumti nevojë për mbështetje ndërkombëtare, Albright zgjodhi të veprojë me vendosmëri. “Kur Kosovës i duheshin më së shumti miqtë, ajo zgjodhi udhëheqjen mbi heshtjen dhe drejtësinë mbi indiferencën,” u shpreh Osmani.
Presidentja nënvizoi se trashëgimia e Albright vazhdon të jetojë përmes brezave të rinj që sot rriten në liri në Kosovë, duke e konsideruar këtë si një dëshmi të ndikimit të saj të qëndrueshëm.
Në fund, Osmani theksoi se populli i Kosovës do ta kujtojë gjithmonë me respekt dhe mirënjohje të thellë për rolin e saj në periudhat vendimtare të historisë së vendit.

