Njëra nga gratë që mbeti e plagosur në ngjarjen e rëndë të së shtunës mbrëma në fshatin Majac të Podujevës ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të rënda.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësja e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Mirlinda Qyqalla, e cila bëri të ditur se viktima ka vdekur rreth orës 03:00 të mëngjesit. Ajo ishte duke u trajtuar në gjendje kritike për shkak të lëndimeve të rënda, kryesisht në pjesën e kokës, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve pavarësisht përpjekjeve të mjekëve.
Ngjarja tragjike ndodhi në Podujevë, ku një 42-vjeçar, Ilaz Brahimi, dyshohet se është vrarë nga Ardita Gashi, 31-vjeçare, me të cilën raportohet se kishte qenë në lidhje.
Sipas informacioneve fillestare, viktima ishte ftuar për takim në shtëpinë e të dyshuarës, ku më pas dyshohet se ajo ka qëlluar disa herë me armë zjarri në drejtim të tij, duke i shkaktuar vdekjen në vend.
Në këtë incident mbeti e plagosur rëndë edhe një grua 73-vjeçare, e cila dyshohet të ketë lidhje familjare me të dyshuarën. Ajo vazhdon të jetë në trajtim mjekësor dhe në gjendje të rëndë shëndetësore.
Pas ngjarjes, e dyshuara thuhet se është mbyllur në shtëpi dhe ka kërcënuar persona të tjerë që tentonin t’i afroheshin. Më pas është raportuar se edhe ajo vetë ka mbetur e plagosur.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, ka konfirmuar rastin e vrasjes, ndërsa autoritetet kompetente janë duke vazhduar hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike.

