Sekretari i përgjithshëm i Bashkimi Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, ka reaguar ashpër ndaj debatit të fundit për përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës, duke akuzuar Qeverinë për interpretime, siç i quajti ai, “absurde dhe fyese për inteligjencën e qytetarëve”,
Ademi përmes reagimit të tij në fejsbuk profilin e tij, vlerësoi qëndrimin e dy inspektorëve të Inspektoratit për zbatimin e gjuhëve, të cilët sipas tij konfirmuan se Ligji për përdorimin e gjuhëve është lex specialis dhe se provimi i jurisprudencës nuk ka të bëjë me testimin e njohurive gjuhësore, por me vlerësimin e kompetencës profesionale.
“Heronjtë e ditës janë dy inspektorët e Inspektoratit për zbatimin e gjuhëve. Ata thanë se Ligji për gjuhët është i qartë, është lex specialis, ndërsa provimi i Jurisprudencës nuk është test për kontroll të njohurive gjuhësore, gjëra në të cilat ne nuk kemi dyshuar aspak që nga fillimi”, ka deklaruar Ademi.
Ai ka kritikuar ashpër përfaqësuesit e Qeverisë për qëndrimet e tyre, duke thënë se po ofrojnë interpretime të papranueshme dhe ofenduese për publikun.
“Nga ana tjetër, çfarë duhet të bëjnë zyrtarët e Qeverisë që na i fyen inteligjencën me interpretime absurde e të çmendura. Ndërsa VLEN le të vazhdojnë me gjumin e tyre gati dyvjeçar. Është bërë boll. Madje e kanë tepruar me këtë turpërim të paprecedent që po na e servojnë”, ka theksuar ai.
Në fund, Ademi ka drejtuar kritika edhe ndaj institucionit të Avokatit të Popullit, duke vënë në pikëpyetje rolin dhe qëndrimet e tij në këtë çështje/Zhurnal.mk.

