Tash e mbi dy dekada, në Kosovë operon pothuajse në heshtje Zyra Ndërlidhëse Ruse, nën ombrellën e UNMIK-ut.
Ndër vite, aktivitetet e kësaj zyre kanë qenë kryesisht të padukshme për publikun e informacionet e pakta, zakonisht kanë të bëjnë me takimet me misione ndërkombëtare.
Ndonëse në listën e misioneve diplomatike në vend, nuk figuron, Ilia Uvarov, ambasador rus në Beograd, në gusht të vitit të kaluar emërohet nga Rusia si shef i ri i zyrës ndërlidhëse në Prishtinë.
Ilia Uvarov mbajti disa poste të njohura diplomatike si përfaqësues i Rusisë, por ajo që e vendos emrin e tij në një kontekst më të gjerë, është një databazë e publikuar nga e Instituti i Inteligjencës ukrainase “Molfar” , ku figuron si oficer i Departamentit të Shërbimeve të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë.
Shumica e njerëzve që figurojnë në listën e regjistruar, thuhet se operojnë nën mbulesë diplomatike në ambasada, konsullata dhe organizata ndërkombëtare, të cilët mund të jenë të përfshirë në mbledhjen e inteligjencës dhe ndërtimin e rrjeteve jashtë vendit.
Këto pretendime, vetë Uvarov i quan trillime. Duke folur rrjedhshëm në gjuhën shqipe, Uvarov tha se në krye të kësaj zyre është emëruar nga UNMIK-u.
“Në këto agjenci informacionet ukrainase, e të tjera, janë gënjeshtra dhe mashtrime dhe nuk mund të shtoj diçka tjetër vetëm se duhet të diskutojmë këtë sepse jam i akredituar me UNMIK me misionin e OKB-së në Prishtinë. Jam i vetëm këtu në të vërtetë, përfaqësues rus zyrtar për misionin në Kosovë, kështu që ato janë gënjeshtra shumë të dyshuara, informacione të dyshuara dhe jo të pavërteta”, ka thënë Uvarov.
Megjithëkëtë, në Kosovë, Uvarov drejton një mision që edhe më tej funksionon në një kornizë të pazakontë diplomatik, e krijuar nga UNMIK-u në vitin 2005.
” Si i tillë ai ka në një shërbim diplomatik rreth 20 e disa vite. Ka shërbyer në SHBA, Moldavi dhe konkretisht ka shërbyer në Transinistrin në pjesën e cila është shumë e ndjeshme në Moldavi dhe po ashtu tani do të shërbejë në Zyrën Ndërlidhëse në Kosovës, një zyre që funksionon në një formë shumë të heshtur e cila realisht nuk e dimë çka bën realisht …”, ka thënë Gurakuq Kuqi, nga Instituti “OCTOPUS”.
Tash ë 21 vjet, sipas njohësve të politikës, ende nuk dihet qartë puna e kësaj zyre e as përbërja e stafit, që nuk ka nevojë për viza, ka të drejtë hyrjeje dhe daljeje pa kufizime dhe gëzon imunitet nga juridiksioni penal, civil dhe administrativ. Ndërkohë që, veprimtaria e Uvarovit, ngre hipoteza për lidhje të tjera përtej shërbimit diplomat.
” Ky person duke pasur parasysh historikun e tij sepse së fundmi në Moldavi ka pasur shumë moldav dhe rus të cilët kanë kryer shërbimet e tyre rekrutuese në Serbi për të kthyer trazira në Moldavi për krijuar trazira dhe nëse e ndjekim këtë lidhje atëherë sigurisht që mund të na ngjallë disa dyshime të caktuar dhe hipoteza të cilat mund të thonë se pse një person që ka shërbyer edhe në Moldavi tani fillon të shërbejë edhe në zyrën ruse ndërlidhëse në Kosovë…”, ka shtuar Kuqi.
Zyra ndërlidhëse e Rusisë në Prishtinë vazhdon të funksionojë nën ombrellën e UNMIK-ut, ndonëse roli i këtij misioni është dytësor. Ambientet e kësaj zyre vazhdojnë të jenë të paqasshme

