Instituti Arkeologjik bëhet qiraxhi, paguan gati 5 mijë euro në muaj

by informim peje

Në një hapësirë prej 680 metrash katrorë me bodrum dhe tri kate sipër, arkeologët tash e kanë hapësirën e nevojshme për zhvillim të veprimtarisë. Por kostoja e asaj hapësire s’është hiç e vogël. Për tre vjet – sa zgjat kontrata – do të paguhen fiks 178 mijë e 200 euro për shfrytëzimin e ndërtesës ku tashmë i ka bërë pak më shumë se tre muaj

Pa një zgjidhje prej themelimit, Instituti Arkeologjik i Kosovës u është bashkuar “armatës” së institucioneve shtetërore që marrin objekte me qira. Hiç më pak se 59 mijë euro në vit çmimi që paguan si qiraxhi në një objekt privat ku është vendosur prej fundvitit. Kësisoj, i bie që gati një e pesta e buxhetit vjetor, të shkojë në qira. Ministria e Kulturës qiratë i ka barrë jo të vogël. Aktualisht Filharmonia e Kosovës është qiraxhi në kompleksin e Pallatit të Rinisë dhe Sportit njësoj sikurse Teatri Kombëtar i Kosovës prej vjeshtës së vitit 2022. Baleti Kombëtar i Kosovës s’ka hapësirë të veten
Instituti Arkeologjik i Kosovës prej fundvitit të kaluar është institucion qiramarrës. S’funksionon në një ndërtesë publike, por është vendosur me qira. Shteti do të paguajë 59 mijë e 400 euro në vit për Institutin Arkeologjik ose pak më shumë se një të pestën e buxhetit që ka sivjet institucioni. Prej themelimit, pasluftës së fundit, IAK-u ka funksionuar në ndërtesën e Muzeut Kombëtar të Kosovës. Më pas, viteve të fundit shkurt në aneksin e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Kurse prej dhjetorit të vitit të kaluar është vendosur në qendër të qytetit, saktësisht krahas Teatrit Kombëtar të Kosovës në objektin ku për një kohë të gjatë ka qenë Trusti.

banner

Në një hapësirë prej 680 metrash katrorë me bodrum dhe tri kate sipër, arkeologët tash kanë hapësirën e nevojshme për zhvillim të veprimtarisë. Por kostoja e asaj hapësire s’është hiç e vogël. Për tre vjet – sa zgjat kontrata – do të paguhen fiks 178 mijë e 200 euro për shfrytëzimin e ndërtesës ku tashmë i ka bërë pak më shumë se tre muaj. Në bazë të kontratës të cilën KOHA e ka marrë nga Ministria e Kulturës nëpërmjet kërkesës për qasje në dokumente zyrtare, ndërtesa ku është vendosur IAK-u ka dy bashkëpronarë. Fillimisht Ministria e Kulturës është marrë vesh me ata që qiraja mujore neto të jetë 4500 euro kurse pjesën e tatimit në qira ta paguajë institucioni. Por një muaj më pas është lidhur një anekskontratë nëpërmjet së cilës qiradhënësve u janë shtuar edhe 450 euro të tjera duke e çuar shumën në 4950 euro dhe tash tatimin mbi qiradhënie do ta paguajnë pronarët e ndërtesës. Ministria e Kulturës do të paguajë po ashtu edhe shpenzimet e energjisë elektrike, ngrohjen, mirëmbajtjen e ndërtesës, hedhurinat dhe ujin e kanalizimin. Qiradhënësi paguan vetëm tatimin në pronë. Kontrata mund të ndërpritet nga secila palë me njoftim paraprak prej tre muajsh.

Instituti Arkeologjik i Kosovës sivjet, sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore ka buxhet për mallra dhe shërbime në vlerë prej 250 mijë eurosh. Nëpërmjet një përllogaritje të thjeshtë i bie që më shumë se sa një e pesta e buxhetit do të paguhet për qira.

KOHA ka kërkuar sqarime nga Ministria e Kulturës se përse IAK-u ka dalë me qira. Ministria nëpërmjet përgjigjeve me shkrim ka sqaruar se Instituti Arkeologjik i Kosovës që nga themelimi i tij nuk ka pasur hapësirë të veten institucionale.

“Për shumë vjet, Instituti ka qenë i vendosur në objektin e Muzeut Kombëtar të Kosovës. Me fillimin e punimeve të restaurimit të ndërtesës së Muzeut, IAK-u është detyruar ta lirojë atë hapësirë”, shkruhet në përgjigje. Më pas sqarohet se pas kësaj periudhe, Instituti është vendosur përkohësisht në një objekt publik, në aneksin e ndërtesës së Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Sipas MKRS-së, megjithatë, kjo hapësirë nuk i plotësonte kushtet bazike për funksionimin efikas të Institutit Arkeologjik të Kosovës.

“Pas hulumtimit të mundësive për hapësira të tjera publike, nuk është gjetur ndonjë objekt i disponueshëm që i përmbushte kushtet për funksionimin e një Instituti Arkeologjik. Për këtë arsye, IAK-u ka paraqitur kërkesë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për marrjen me qira të një objekti të përshtatshëm”, shkruhet në përgjigje. Aty sqarohet se objekti është përzgjedhur në përputhje me procedurat.

“Ndërtesa e marrë me qira i plotëson kushtet e nevojshme për funksionimin e plotë të Institutit Arkeologjik të Kosovës. Kontrata e qirasë është lidhur për një periudhë prej tre (3) vjetësh, me shpresën që brenda kësaj kohe Instituti të arrijë të sigurojë një objekt publik të përhershëm për veprimtarinë e tij”, shkruhet në përgjigje.

KOHA ka kërkuar sqarime edhe nga Instituti Arkeologjik i Kosovës. Por siç ndodh rëndom, ushtruesja e detyrës së drejtorit, arkeologia Zana Rama nuk ka dhënë përgjigje.

Ministria e Kulturës qiratë i ka barrë jo të vogël. Aktualisht Filharmonia e Kosovës është qiraxhi në kompleksin e Pallatit të Rinisë dhe Sportit. Pos këtij institucioni vartës të MKRS-së, edhe Teatri Kombëtar i Kosovës është qiraxhi po në Pallat të Rinisë prej vjeshtës së vitit 2022, kur ndërtesës së institucionit iu vu dryni në emër të restaurimit. Baleti Kombëtar i Kosovës s’ka hapësirë të vetën dhe provat i mban në ambientet e ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve, “Shota”. Kurse shfaqjet i jep në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë që shfrytëzohet nga TKK-ja. Baleti dhe Filharmonia në rast aktivitetesh të mëdha, paguajnë majmë një sallë private në periferi të kryeqytetit për të mbajtur aktivitet e tyre. Njëjtë vepron edhe Opera e Kosovës, institucion i themeluar në gusht të vitit 2021 dhe që funksion si agjenci duke angazhuar ansamble të përkohshme varësisht nga projektet.

Sa i përket Institutit Arkeologjik të Kosovës, ky institucion në të kaluarën shpesh ka shqyrtuar të paktën verbalisht mundësinë e zhvendosjes në ndonjë ambient publik. Janë përmendur disa ndërtesa, por kjo nismë s’ka gjetur asnjëherë përkrahje të plotë. Del se më shpejt dhe më lehtë mund të bëhen marrëveshje për qira.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy