Ka ende një mision për t’u përmbushur për Mircea Lucescun, i cili në moshën 80-vjeçare vazhdon karrierën e tij të gjatë si trajner dhe që nga viti 2024 është sërish në krye të kombëtares së Rumanisë.
Në fakt, Rumania mungon në Kupën e Botës prej 28 vitesh, që nga edicioni i Francës në vitin 1998.
Trajneri rumun ka folur në një intervistë për The Guardian në prag të ndeshjes kundër Turqisë të drejtuar nga Vincenzo Montella. Ai ka zgjedhur të udhëheqë ekipin deri në këtë sfidë të rëndësishme, pavarësisht një sëmundjeje me të cilën po përballet prej muajsh.
“Nuk jam në formën time më të mirë, ndaj do të isha tërhequr nëse do të kishte një alternativë tjetër. Por nuk mund të largohem si frikacak”. Trajneri, i cili ka pasur eksperienca edhe në disa skuadra italiane në vitet ’90, prej muajsh jeton me një sëmundje, natyra e së cilës nuk është bërë publike,
Ai ka zgjedhur ta mbajë këtë çështje private për të mbrojtur veten dhe ekipin, ndërsa ka vazhduar punën.
“Që nga dhjetori kam përfunduar tre herë në spital, por kam një detyrë ndaj futbollit rumun. Kur mjekët më thanë se mund të vazhdoja të trajnoja, u përqendrova te ajo që duhet të bëj për Rumaninë”.
Tani rruga drejt Kupës së Botës kalon nga Turqia, një vend që Lucescu e njeh shumë mirë pasi ka drejtuar Galatasarayin, Beshiktashin dhe gjithashtu kombëtaren turke nga 2017 deri në 2019. Pikërisht stadiumi i Beshikashit do të jetë skena e kësaj përballjeje “Do të luajmë në një atmosferë të pamundur. Nuk e di nëse ka mënyrë për të përballuar zhurmën që do të krijohet. Duhet t’u shpjegoj lojtarëve që nuk kanë luajtur kurrë në Turqi se çfarë i pret. Por duhet të besojmë te Botërori”.

