FIFA vendosi një gjobë prej 190 mijë e 700 dollarësh ndaj Federatës Izraelite të Futbollit, për shkelje të rregullave kundër diskriminimit, por drejtuesit palestinezë thonë se kjo masë është e pamjaftueshme.
Federata Palestineze e Futbollit, ka kërkuar që ajo izraelite të përjashtohet, pasi një raport i FIFA-s konstatoi “shkelje të shumta” të detyrimeve kundër diskriminimit.
“Ne ruajmë të drejtën tonë dhe vazhdojmë përpjekjet për të siguruar që Federata Izraelite e Futbollit të përjashtohet nga të gjitha institucionet ndërkombëtare,” tha kreu i PFA-së, Jibril Rajoub, i cili gjithashtu drejton Komitetin Olimpik Palestinez, gjatë një konference për shtyp në qytetin e Al-Bireh në Bregun Perëndimor të pushtuar.
FIFA e gjobiti IFA-n me 190 mijë e 700 dollarë për këto shkelje javën e kaluar, një “vendim i rëndësishëm”, sipas Rajoub, i cili shtoi se dënimi ende “mbetet nën minimumin e kërkuar”.
Rajoub përmendi “natyrën raciste” të IFA-së, aktivitetet e dyshuara kriminale nga disa zyrtarë sportivë izraelitë dhe përfshirjen e klubeve nga vendbanimet e paligjshme izraelite në Bregun Perëndimor si arsye për një ndalim.
Një raport i fundit nga komiteti disiplinor i organit drejtues botëror të futbollit konstatoi se IFA “nuk ka ndërmarrë veprime domethënëse ndaj Beitar Jerusalem” për “sjellje raciste të vazhdueshme dhe të dokumentuara mirë”.
Rajoub tha se Beitar Jerusalem është “një shembull ekstrem i racizmit, fashizmit dhe diskriminimit”, por se qëndrime të tilla janë të zakonshme në klubet e futbollit izraelit.
Sa i përket aktiviteteve të dyshuara kriminale të zyrtarëve sportivë izraelitë, Rajoub tha se i referohej rasteve të lojtarëve të vrarë gjatë dy viteve të luftës në Gaza dhe shkatërrimit të shumë objekteve sportive në territorin palestinez gjatë të njëjtit konflikt.

