Një gjykatë në New Mexico ka urdhëruar kompaninë teknologjike Meta të paguajë 375 milionë dollarë dëmshpërblim për shkelje që lidhen me sigurinë e fëmijëve në platformat e saj.
Vendimi është marrë nga një juri, e cila ka konstatuar se kompania, pronare e rrjeteve sociale Facebook, Instagram dhe WhatsApp, ka mashtruar përdoruesit lidhur me nivelin e sigurisë për të miturit dhe ka lejuar ekspozimin e tyre ndaj përmbajtjeve eksplicite seksuale, si dhe kontaktet me abuzues të mundshëm.
Prokurori i përgjithshëm i New Mexicos, Raul Torrez, e ka cilësuar vendimin si historik, duke theksuar se është hera e parë që një shtet arrin të padisë me sukses kompaninë për çështje që lidhen me mbrojtjen e fëmijëve në platformat digjitale.
Sipas gjykatës, “Meta” ka shkelur Aktin e Praktikave të Padrejta të New Mexicos. Procesi gjyqësor ka zgjatur shtatë javë, gjatë të cilit janë paraqitur dëshmi nga ish-punonjës të kompanisë se drejtuesit ishin në dijeni të rreziqeve që paraqesin platformat për përdoruesit e rinj.
Ndër dëshmitarët ishte edhe Arturo Bejar, ish-udhëheqës në kompani dhe sinjalizues, i cili deklaroi se përmes eksperimenteve të tij në Instagram kishte vërejtur se përdoruesve të mitur u shfaqej përmbajtje e papërshtatshme, përfshirë edhe rastin e vajzës së tij.
Dokumentet e paraqitura nga prokuroria tregojnë se një studim i brendshëm i kompanisë kishte zbuluar se rreth 16 për qind e përdoruesve të Instagramit kishin raportuar përmbajtje të padëshiruar ose me natyrë seksuale brenda një jave.
Nga ana tjetër, një zëdhënëse e “Meta”-s ka deklaruar se kompania nuk pajtohet me vendimin dhe do ta apelojë atë, duke theksuar se vazhdon të investojë në masa për sigurinë e përdoruesve, veçanërisht të të rinjve.
Sipas vendimit, kompania do të duhet të kompensojë mijëra përdorues të prekur, me një shumë maksimale deri në 5 mijë dollarë për person. Ndërkohë, ndaj “Meta”-s janë duke u zhvilluar edhe mijëra padi të tjera në gjykata të ndryshme në Shtetet e Bashkuara.

