KEDS ka theksuar përkushtimin e saj për të garantuar matje të sakta dhe transparente të konsumit të energjisë elektrike, duke siguruar se të gjithë njehsorët janë të besueshëm dhe të sinkronizuar me standardet zyrtare.
Sipas kompanisë, çdo matës energjie kalibrohet dhe sinkronizohet me kohën zyrtare që në momentin e instalimit, duke mundësuar funksionim me saktësi të lartë. Sistemet e matjes janë të ndërtuara në mënyrë që të sigurojnë trajtim të barabartë për të gjithë konsumatorët, përfshirë aplikimin korrekt të tarifave të ulëta dhe të larta, në përputhje me rregullat e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Në përshkrimin e saj, KEDS nënvizon se sinkronizimi i njehsorëve realizohet me precizion të lartë, duke garantuar që kalimi në tarifën e ulët ndodh në të njëjtën kohë për të gjithë konsumatorët. Edhe në rastet e rralla të devijimeve teknike, kompania siguron se kohëzgjatja e tarifave mbetet e saktë dhe nuk dëmton konsumatorët.
Kompania thekson se gjithashtu reagon menjëherë ndaj çdo ankese, duke dërguar ekipet teknike në terren për verifikim dhe zgjidhje të shpejtë të problemeve eventuale. Në të njëjtën kohë, u bëhet thirrje subjekteve politike dhe palëve të tjera që të shmangin deklaratat e pa verifikuara që, sipas KEDS-it, nuk përputhen me realitetin në terren.
Në kuadër të modernizimit të rrjetit energjetik, KEDS është duke vazhduar zëvendësimin e njehsorëve të vjetër me pajisje të reja digjitale, të cilat ofrojnë saktësi më të lartë. Vetëm gjatë vitit të kaluar janë instaluar mbi 130 mijë njehsorë të tillë, duke e renditur Kosovën ndër vendet lidere në digjitalizimin e sistemit të matjes së energjisë.
Si operator i sistemit të shpërndarjes, KEDS thekson se të gjitha proceset realizohen në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke ruajtur standarde të larta të korrektësisë, transparencës dhe besueshmërisë për të gjithë konsumatorët.

