Kritikat e pushtetit ndaj saj, Osmani: Fushatë baltosëse e qëllimshme, fjalë që synojnë shkatërrimin

by Nexhat

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se në javët e fundit puna e saj është përballur me një fushatë baltosëse që, sipas saj, nuk ka të bëjë me kritikën apo llogaridhënien, por me përpjekje të qëllimshme për cenimin e dinjitetit njerëzor dhe dëmtimin e demokracisë.

Ajo këto deklarata i bëri në konferencën hapëse të Javës së Gruas (WoW) 2026.

banner

Ajo ka theksuar se kjo qasje përbën rrezik për demokracinë dhe është një mesazh i drejtpërdrejtë për gratë që synojnë të angazhohen në jetën publike, duke e cilësuar si një përpjekje për frikësim dhe eliminim përmes propagandës dhe dezinformimit.

“Në javët e fundit, puna ime është përballur me një fushatë baltosëse që për qëllim nuk e ka kritikën. Dhe nuk ka të bëjë aspak me llogaridhënien. Është diçka tjetër. Shumë më e ftohtë, e krejtësisht e qëllimshme. Është përpjekja për të zhveshur një njeri nga dinjiteti i tij njerëzor. Për ta kthyer në objekt. Për ta krahasuar me kafshët më të egra. Për ta zëvendësuar të vërtetën me imazhe të manipuluara. Gënjeshtra që përsëriten aq shumë derisa dikujt mund t’i duken të vërteta. Imazhe që krijohen për të lënduar dhe për të shkatërruar vlerat më të larta njerëzore që e kanë mbajtur popullin tonë bashkë në kohët më të rënda. Fjalë që nuk synojnë debat, por shkatërrim dhe eliminim”, tha ajo.

“Dhe për këtë arsye duhet të flasim. Jo si viktima. Asnjëherë. Asnjëherë si viktima. Asnjëherë. Por si mbrojtëse të demokracisë. Vetëm si mbrojtëse të demokracisë. Sepse kur propaganda mund ta kthejë këdo në tradhtar brenda natës, kur e vërteta më s’ka aspak rëndësi, kur dinjiteti gjithnjë shndërrohet në dëm kolateral, atëherë e tërë demokracia është në rrezik”, tha ajo.

Presidentja ka theksuar se lidershipi i ndjeshëm ndaj gjinisë është domosdoshmëri dhe jo luks, duke kërkuar institucione që nuk heshtin dhe mbajnë përgjegjës ata që, sipas saj, përdorin teknologjinë për propagandë dhe dezinformim.

“Prandaj lidershipi i ndjeshëm ndaj gjinisë nuk është luks. Është domosdoshmëri. Dhe kërkon institucione që nuk heshtin. Kërkon që të mbajmë përgjegjës ata që përdorin teknologjinë dhe e shndërrojnë në propagandë, që shfrytëzojnë dezinformimin dhe që besojnë që narrativa e tyre mund të ruhet vetëm e vetëm nëpërmjet frikësimit. E një shoqëri që mësohet me një narrativë të tillë, e humb në tërësi, në tërësi e humb busullën morale. Mirëpo kjo nuk është luftë vetëm ndaj një personi. Është një mesazh i drejtpërdrejtë për secilën grua. Për secilën vajzë që mendon të hyjë në jetën publike. Është mesazhi që thotë se për gratë në politikë, ky është çmimi që do ta paguash. Apo edhe ndoshta më i lartë”, tha ajo.

Sipas saj, kjo çështje nuk është më personale, por çështje e vetë demokracisë, duke paralajmëruar se ajo dobësohet gradualisht kur relativizohet e vërteta dhe kur shpifja shndërrohet në mjet kryesor.

“Dhe pikërisht për këtë arsye kjo nuk është më çështje personale. Është çështje e demokracisë. Sepse demokracia nuk rrëzohet vetëm nga krizat e mëdha. Ajo dobësohet ngadalë, kur e vërteta relativizohet, kur e vërteta goditet dhe bëhet tërësisht e parëndësishme. Kur shpifja bëhet mjeti kryesor, kur dinjiteti njerëzor trajtohet si pengesë e jo si vlerë”, tha ajo. /eo

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy