Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur që t’i japë Kuvendit edhe 34 ditë kohë shtesë për vazhdimin e procedurës së zgjedhjes së presidentit, duke e shpallur njëkohësisht pa efekt juridik Dekretin e presidentes Vjosa Osmani.
Sipas aktgjykimit, ky vendim vjen si rezultat i rrethanave specifike që lidhen me datën e konstituimit të Kuvendit dhe pamundësinë për të respektuar afatin kushtetues prej 60 ditësh për zgjedhjen e presidentit. Kuvendi i Kosovës është konstituuar më 11 shkurt 2026, çka ka bërë të pamundur përfundimin e procedurës brenda afatit të paraparë deri më 5 mars, që përkon me një muaj para përfundimit të mandatit aktual presidencial.
Në arsyetimin e saj, Gjykata thekson se në kushte normale, procedura për zgjedhjen e presidentit nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë dhe duhet të përfundojë jo më vonë se 30 ditë para skadimit të mandatit të presidentit në detyrë. Ky afat konsiderohet detyrues dhe nuk mund të anashkalohet apo relativizohet.
Megjithatë, duke marrë parasysh kontekstin konkret, Kushtetuesja vlerësoi se Kuvendi nuk ka pasur në dispozicion periudhën e plotë 60-ditore për të zhvilluar procedurën, ndaj ka vendosur të mundësojë vazhdimin e saj përmes një afati shtesë.
Gjykata gjithashtu ka sqaruar se ky interpretim mbetet i kufizuar në këtë rast specifik dhe se në të ardhmen, të gjitha procedurat për zgjedhjen e presidentit duhet të respektojnë në mënyrë rigoroze afatet kushtetuese të përcaktuara.

