Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka dhënë reagimin e parë pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës lidhur me procedurën e zgjedhjes së presidentit, duke theksuar se vendimi sqaron disa çështje thelbësore kushtetuese.
Përmes një postimi në Facebook, zyrtari i LDK-së, Shkëmb Manaj, ka renditur katër aspekte kryesore që, sipas tij, janë përcaktuar nga aktgjykimi i Kushtetueses.
Sipas Manajt, Gjykata ka rrëzuar kërkesën e Qeverisë dhe të Lëvizjes Vetëvendosje që deputetët të detyrohen të marrin pjesë dhe të votojnë në Kuvend për zgjedhjen e presidentit.
Ai ka theksuar gjithashtu se afati për zgjedhjen e presidentit mbetet detyrues dhe duhet të përfundojë jo më vonë se 30 ditë para skadimit të mandatit të presidentit aktual. Megjithatë, në raste kur Kuvendi nuk ka në dispozicion 60 ditë të plota nga konstituimi, atëherë afati fillon të llogaritet nga dita e konstituimit të tij.
Në reagim thuhet se afati 60-ditor është procedural dhe duhet të shërbejë në funksion të afatit kushtetues përfundimtar, ndërsa një tjetër element i rëndësishëm i theksuar është se shpërndarja e Kuvendit ndodh automatikisht nëse dështon zgjedhja e presidentit brenda afateve të përcaktuara.
Vendimi i Kushtetueses dhe reagimet politike pas tij pritet të ndikojnë në zhvillimet e ardhshme në Kuvend, në një kohë kur vendi përballet me nevojën për të përmbyllur procesin e zgjedhjes së presidentit të ri.

