Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Gjermani, pasi një aksident tragjik ka marrë jetën e një nëne dhe djalit të saj 3-vjeçar. Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Schramberg, ku një kamion ka dalë nga kontrolli dhe i ka përplasur viktimat teksa po ecnin në trotuar.
Sipas raportimeve, gruaja, me origjinë nga Gjakova dhe me nënshtetësi gjermane, ishte duke shëtitur me dy fëmijët e saj binjakë në momentin e aksidentit. Përplasja rezultoi fatale për të dhe njërin prej djemve, ndërsa fëmija tjetër ka arritur të shpëtojë mrekullisht pa lëndime serioze.
Përveç viktimave, kamioni ka goditur edhe disa automjete të parkuara, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në zonë. Ende nuk dihen shkaqet që çuan në humbjen e kontrollit të mjetit nga ana e shoferit.
Autoritetet gjermane kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj tragjedie, ndërsa komuniteti lokal dhe ai shqiptar në diasporë janë të tronditur nga kjo humbje e rëndë.

