Aksion i madh antidrogë në Prishtinë, arrestohen pesë persona dhe sekuestrohen drogë e mijëra euro

by engel

Një operacion i gjerë antidrogë i zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në rajonin e Prishtinës ka rezultuar me arrestimin e pesë personave të dyshuar për përfshirje në aktivitet kriminal të shpërndarjes së narkotikëve.

Operacioni i koduar “Delivery” është realizuar pas një pune intensive hetimore dhe grumbullimit të informatave për veprimtari të paligjshme që lidhen me shpërndarjen e marihuanës dhe kokainës në kryeqytet.

banner

Sipas policisë, fillimisht janë identifikuar dy të dyshuar, të cilët janë lokalizuar të mërkurën rreth orës 14:00 në dalje të autostradës në Veternik, duke lëvizur me një veturë. Me të vërejtur policinë, ata kanë tentuar të largohen me shpejtësi të madhe, duke rrezikuar sigurinë në trafik.

Ndjekja policore ka vijuar në disa drejtime, përfshirë Fushë-Kosovën dhe Podujevën, derisa ka përfunduar në hyrje të Vushtrrisë, ku të dyshuarit janë ndaluar dhe arrestuar. Gjatë kontrollit në veturë janë gjetur mbi 2.2 kilogramë marihuanë dhe një cigare e mbushur me këtë substancë.

Po ashtu, gjatë rrugës së ikjes në fshatin Raskovë është gjetur edhe një paketim tjetër me mbi 1.1 kilogram marihuanë, që dyshohet se është hedhur nga të dyshuarit.

Në koordinim me Prokurorinë, policia ka realizuar bastisje në katër lokacione në Prishtinë, ku janë sekuestruar sasi të tjera të narkotikëve, peshore digjitale, para të gatshme në vlerë mbi 4 mijë euro si dhe valuta të huaja, dy vetura dhe katër telefona mobilë.

Gjatë kontrollit të një veture tjetër janë gjetur edhe 25 qese me substancë të dyshuar kokainë.

Policia ka bërë të ditur se në njërin prej lokacioneve është zbuluar edhe një hapësirë e përshtatur si “Call Center”, ku janë sekuestruar pesë laptopë. Në këtë rast janë përfshirë edhe njësitë për hetimin e krimeve kibernetike.

Të gjithë të dyshuarit janë shoqëruar në polici dhe, me urdhër të prokurorit kujdestar, janë ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy