Rrëfim i dhimbshëm nga masakra e Poklekut: “E kanë vra krejt familjen, i kanë djeg”

by engel

Më 17 prill rikthehen kujtimet e një prej ngjarjeve më të rënda të luftës në Kosovë – masakrës së Poklekut, ku 27 vjet më parë u vranë dhe më pas u dogjën 57 civilë shqiptarë të paarmatosur, nga foshnjat deri te të moshuarit.

Mes dhimbjes dhe emocioneve të forta, i mbijetuari i kësaj masakre, Fadil Muqolli, ka rrëfyer përjetimet e tij tragjike, duke kujtuar ditën kur humbi 14 anëtarë të familjes së tij, përfshirë bashkëshorten dhe katër fëmijët.

banner

Ai përshkroi pranverën si një periudhë të rëndë për familjet që përjetuan luftën, ndonëse theksoi se liria dhe pavarësia e vendit e bëjnë më të lehtë përballimin e dhimbjes. Megjithatë, kujtimet mbeten të freskëta dhe të papërballueshme.

Muqolli rrëfeu se më 17 prill 1999, në një ditë me shi, forcat serbe rrethuan fshatin nga të gjitha anët dhe hynë në shtëpitë e banorëve pa mundur të ndaloheshin. Familjarët e tij u nxorën jashtë, u numëruan dhe më pas u futën sërish në shtëpi, ndërsa burrat u ndanë dhe u ekzekutuan në oborr.

Ai tregoi se masakra ishte e përmasave të tmerrshme dhe se vetëm gjashtë persona arritën të mbijetojnë. Sipas tij, ajo që ka ndodhur tejkalon çdo përshkrim njerëzor.

Rrëfimi bëhet edhe më i rëndë kur ai kujton se trupat e viktimave u dogjën disa herë, ndërsa shtëpia e tij u shkrumbua plotësisht. Pamjet që familjarët panë më pas, sipas tij, ishin të papërshkrueshme.

“Kur më thanë se e kanë vrarë krejt familjen dhe i kanë djegur, nuk di si jam ndjerë. Ishte diçka e tmerrshme, e papërshkrueshme”, rrëfen ai me lot në sy.

Përveç dhimbjes personale, Muqolli shprehu edhe zhgënjimin e tij ndaj drejtësisë, duke thënë se nuk ka më besim se krimet do të ndëshkohen.

Masakra e Poklekut mbetet një nga plagët më të rënda të luftës në Kosovë, ndërsa rrëfimet e të mbijetuarve vazhdojnë të dëshmojnë për përmasat e tragjedisë dhe nevojën për drejtësi.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy