Shkëlzen Gashi, ka reaguar lidhur me ekspozitën për masakrat në Kosovë, duke thënë se për përpilimin e listës së të vrarëve, janë mbështetur në listën e të vrarëve nga “Libër Kujtimi i Kosovës” i Humanitarian Law Center (HLC), organizatë e udhëhequr nga Natasha Kandiqit.
‘’ Për përpilimin e listës së të vrarëve nëpër masakra, jemi mbështetur në listën e të vrarëve nga “Libër Kujtimi i Kosovës” i Humanitarian Law Center (HLC), organizatë e udhëhequr nga Nataša Kandić. Në libër e kemi sqaruar se në këtë listë të të vrarëve të HLC-së, për disa masakra individë të vrarë figurojnë të regjistruar si persona të armatosur, megjithëse në momentin e vrasjes ata ishin civilë të paarmatosur dhe nuk kishin rezistuar’’, thuhet mes tjerash nga organizatat.
Ndryshe, ekspozita në fjalë ka ngjallë reagime e kritika, për shkak se aty ndër tjerash, thuhet se në Masakrën e Dubravës, janë vrarë 48 shqiptarë të armatosur e 58 civilë të paarmatosur. Gjë e cila, është cilësuar si e pasaktë, edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, përmes një reagimi e cilësoi si ‘’të papranueshme dhe fyese’’, duke bërë të ditur se ka pezulluar lejen për ekspozitë.
Postimi:
SQARIM
Në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë vazhdon të jetë e hapur për publikun ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, e organizuar nga ADMOVERE dhe INTEGRA.
Kjo ekspozitë paraqet në mënyrë kronologjike 49 masakra të kryera gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), duke filluar nga masakra në Likoshan-Qirez (28 shkurt 1998) e deri te masakra në familjen Bala (12 qershor 1999). Nga gjithsej 105 masakra të evidentuara deri më tani, në këtë ekspozitë janë përfshirë 49 masakra për të cilat kemi siguruar fotografi dhe citate të dëshmitarëve. Të 105 masakrat janë të përfshira në librin “Masakrat në Kosovë 1998-1999” dhe do të përfshihen edhe në uebfaqen “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, që do të lansohet së shpejti.
Ekspozita bazohet në plotni në librin “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, të botuar në vitin 2024 nga ADMOVERE dhe INTEGRA.
Për përpilimin e listës së të vrarëve nëpër masakra, jemi mbështetur në listën e të vrarëve nga “Libër Kujtimi i Kosovës” i Humanitarian Law Center (HLC), organizatë e udhëhequr nga Nataša Kandić. Në libër e kemi sqaruar se në këtë listë të të vrarëve të HLC-së, për disa masakra individë të vrarë figurojnë të regjistruar si persona të armatosur, megjithëse në momentin e vrasjes ata ishin civilë të paarmatosur dhe nuk kishin rezistuar.
Kjo listë mbetet edhe sot burimi i vetëm dhe më i besueshëm për dokumentimin e të vrarëve, duke qenë se institucionet e Kosovës ende nuk kanë hartuar një listë zyrtare të të vrarëve.
ADMOVERE dhe INTEGRA u bëjnë thirrje institucioneve shtetërore të Kosovës që një listë e të vrarëve, e cila kërkon angazhim të jashtëzakonshëm, të hartohet sa më parë, në mënyrë që të shmangen keqkuptimet eventuale.
Njëkohësisht, ADMOVERE dhe INTEGRA mbeten të përkushtuara në punën e tyre për të nderuar të gjitha viktimat civile gjatë luftës së fundit në Kosovë.

