“Emrat e propozuar pa ekspertizë”, KPK anulon procesin për avancimin e katër prokurorëve në PSRK

by Nexhat

Në mbledhjen e 291-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) është anuluar, me katër vota për, procesi për avancimin e katër prokurorëve në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).

Paraprakisht, kryesuesi Arian Gashi deklaroi se ka pasur tejkalim të afateve për vendimmarrje lidhur me kundërshtimin e paraqitur nga një kandidate për avancim.

banner

Anëtari Dardan Vuniqi tha se nuk mund të votojë për një proces ku nuk janë respektuar afatet e përcaktuara, ndërsa Visar Krasniqi theksoi se procesi kishte nisur në shtator dhe ende nuk ishte përmbyllur, duke shtuar se kishte qenë kundër shpalljes së konkursit që në fillim. Sipas tij, një analizë e Komisionit për Administrimin e Prokurorive kishte konstatuar se në këtë prokurori ka tepricë prej 12 prokurorësh. Ai shtoi se ka pasur shkelje edhe gjatë procesit të intervistimit.

Nga ana tjetër, Elza Bajrami-Kastrati deklaroi se emrat e propozuar për avancim në Prokurorinë Speciale nuk kanë ekspertizën e nevojshme për të ndihmuar në zgjidhjen efikase të lëndëve.

Anëtari Milot Krasniqi tha se, duke qenë pjesë e kësaj prokurorie, e njeh ngarkesën me lëndë dhe shtoi se afatet për shqyrtimin e kundërshtimeve janë të përcaktuara me rregullore. Ai kritikoi Këshillin për standarde të dyfishta, duke përmendur rastin e zgjatjes së transferimit të prokurorit Dardan Qela.

Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit, Agron Qalaj, tha se duhet të gjendet një zgjidhje e arsyeshme për situatën.

Në fund, Këshilli vendosi të anulojë procesin me votat e Arian Gashit, Dardan Vuniqit, Elza Bajrami-Kastratit dhe Visar Krasniqit, ndërsa kundër votuan Agron Qalaj dhe Milot Krasniqi.

Në këtë mbledhje, KPK-ja gjithashtu vazhdoi mandatin e anëtarëve të Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve, Nazan Shero dhe Aleksandër Lumezi, ndërsa si anëtarë rezervë u emëruan Besnik Jakupi dhe Lulzim Sylejmani./BetimipërDrejtësi/

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy