Policia italiane ka goditur një bazë të dyshuar të një organizate kriminale shqiptare gjatë një operacioni të zhvilluar në rajonin e Pratos, në Toskanë.
Aksioni u përqendrua në zonën Sant’Ippolito di Vernio, ku në një apartament në Via Marchin banonte një çift: një shtetas shqiptar 43-vjeçar me precedentë penalë, i cili ndodhej në arrest shtëpiak, si dhe partnerja e tij 42-vjeçare me origjinë rumune.
Gjatë kontrollit të banesës, autoritetet zbuluan një arsenal armësh dhe sekuestruan pesë pistoleta, municione, dokumente të dyshuara të falsifikuara si dhe rreth 30 mijë euro cash.
Mes armëve të sekuestruara përfshihen një pistoletë Beretta kalibër 7.65 me karikator dhe gjashtë fishekë, një Beretta 9 mm e raportuar e vjedhur në vitin 2021, një armë e modifikuar pa të dhëna identifikuese, një revolver 5.7 mm dhe një pistoletë qitjeje bosh e markës Bruni, e ngjashme me një Glock, e pajisur me karikator dhe 30 fishekë.
Po ashtu, policia gjeti edhe 75 fishekë të tjerë dhe një plumb që mund të përdoren në armë të ndryshme. Sipas autoriteteve italiane, në banesë u sekuestruan edhe dokumente të falsifikuara, ndërsa shuma e parave ishte e ndarë në kartëmonedha me prerje të ndryshme.
Hetimet për zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal vijojnë.

