Organizata që drejton Natasha Kandiq, e cila ka edhe një seli në Kosovë, kanë reaguar lidhur me ekspozitën që është bërë në Kosovë rreth masakrave të ndodhura gjatë viteve 1998-1999.
Në komunikatën për media thuhet se të dhënat në këtë ekspozitë në disa raste paraqesin pasqyrë të pasaktë dhe se kjo nuk është çështje e interpretimit por mungesë elementare e njohurive mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare, faktet e vërtetuara në gjykatë dhe leximin e të dhënave të Fondit për të drejtën Humanitare.
Në komunikatë flitet specifikisht për Masakrën e Dubravës, duke thënë se aty s’janë vrarë persona të armatosur siç paraqitet në ekspozitën e Shklëzen Gashit.
“Në Burgun e Dubravës nuk janë vrarë “persona të armatosur”, siç paraqitet në tabelën e ekspozitës. Të vrarët ishin të burgosur shqiptarë. Disa prej tyre kishin qenë pjesëtarë të UÇK-së para arrestimit, por në momentin e vrasjes nuk ishin luftëtarë. Ata ishin persona të privuar nga liria dhe nën kontroll të plotë të autoriteteve serbe, pra persona të mbrojtur sipas Konventave të Gjenevës. Statusi i tyre i mëparshëm si pjesëtarë të UÇK-së është i rëndësishëm për njohjen shtetërore pas vdekjes dhe për reparacionet materiale për familjet, por jo për përcaktimin e rrethanave të vdekjes”, thuhet në komunikatë.
Në komunikatë thuhet se ka edhe gabime të tjera, prandaj, organizata e Kandiq thotë se ekspozita në formën aktuale duhet të largohet nga hapësira publike
“Për këto arsye, konsiderojmë se ekspozita, në formën e saj aktuale, duhet të hiqet nga hapësira publike. Njëkohësisht, është e domosdoshme të ndërpritet paraqitja arbitrare dhe joprofesionale e krimeve dhe fatit të viktimave. Paraqitja e pasaktë e fakteve nuk kontribuon në kulturën e kujtesës, por e dëmton atë, relativizon krimet dhe cenon seriozisht dinjitetin e viktimave dhe familjeve të tyre”, thuhet në reagim.
Tutje thuhet se i njejti gabim është bërë edhe me rasitn e Masakrës së Mejës.
“I njëjti gabim është bërë edhe në rastin e Mejës. Mes të vrarëve kishte persona që më parë kishin qenë pjesëtarë të UÇK-së, por më 27 prill ata u ndanë nga kolonat e civilëve, ishin të paarmatosur, pa uniformë dhe nën kontroll të forcave serbe. Në këto rrethana ata nuk mund të konsiderohen “persona të armatosur”, por viktima të krimeve të luftës“Organizatorët e ekspozitës tregojnë gjithashtu mungesë njohurie për faktet e vërtetuara në gjykatë në lidhje me Reçakun. Në transkriptin e gjykimit të Slobodan Milošević-it, Shukri Buja ka deklaruar se nëntë pjesëtarë të UÇK-së janë vrarë në luftime më 15 janar 1999, gjë që është e ndarë nga vrasja e civilëve në Reçak”, thuhet në reagim.
Organizata e Kandiq thotë se “Është veçanërisht shqetësuese që Shkëlzen Gashi përpiqet të zhvendosë përgjegjësinë për këto gabime te Fondi për të Drejtën Humanitare. Kjo përbën një përpjekje për të diskredituar bazën më të besueshme të të dhënave për viktimat e luftës në Kosovë.Baza e të dhënave FHP dhe FHPK, e cila dokumenton më shumë se 8.500 viktima civile shqiptare të krimeve të luftës, është vlerësuar në një evaluim të pavarur të vitit 2015 si baza më e plotë dhe më e besueshme e këtij lloji. Evaluimi është kryer nga ekspertë ndërkombëtarë, përfshirë Patrick Ball dhe profesorin britanik Michael Spagat”, thekson reagimi.
Gjithashtu, organizata e Kandiq thotë se duhet rikujtuar se edhe libri i Shkëlzen Gashit ka pasaktësi të mëdha.
“Duhet rikujtuar gjithashtu se të njëjtët autorë para dy vitesh kanë botuar librin “Masakrat në Kosovë”, i cili përmban shumë pasaktësi dhe në shumë raste nuk është në përputhje me faktet e vërtetuara në gjykatë. I njëjti model po përsëritet tani në këtë ekspozitë: të dhëna të pasakta, të bazuara në mungesë njohurie dhe pa përgjegjësi ndaj viktimave”, përfundon komunikata.

