Oda e Inxhinierëve të Kosovës ka bërë të ditur se ngjarjet e fundit në gropat ndërtimore, por edhe praktikat e përditshme në shumë projekte ndërtimore, siç thuhet, po dëshmojnë një problem serioz dhe të papranueshëm: moszbatimin e plotë të ligjit nga institucionet përgjegjëse.
Në reagim thuhet se Ligji për Odat e Arkitektëve dhe Inxhinierëve në Fushën e Ndërtimit është i qartë, profesionet në fushën e ndërtimit duhet të ushtrohen nga inxhinierë të licencuar, brenda kompetencave të përcaktuara sipas kategorive të licencës, me qëllim të drejtpërdrejtë mbrojtjen e sigurisë publike .
“Megjithatë, në praktikë po ndodh e kundërta: Ligji nuk po zbatohet në mënyrë të plotë nga të gjitha institucionet. Kontrolli mbi zbatimin e licencave dhe përgjegjësive profesionale është i pamjaftueshëm. Lejohen devijime nga standardet dhe kompetencat ligjore”, thuhet në reagim.
Oda e Inxhinierëve tha se kjo nuk është vetëm shkelje procedurale, por siç thuhet, rrezik direkt për jetën dhe pronën e qytetarëve. Shembjet e dheut në gropat ndërtimore janë pasojë direkte e këtij realiteti.
“Në raste të tilla, përveç rrezikut për jetën e njerëzve, kemi edhe dëmtim të pronës dhe pasoja të mëdha ekonomike, të cilat mund dhe duhet të parandalohen përmes zbatimit të ligjit. Ato janë pasojë e një sistemi ku: ligji nuk zbatohet me rigorozitet, përgjegjësitë profesionale relativizohen, dhe kontrolli institucional mbetet formal”.
Në reagim thuhet se e njëjta logjikë rreziku ekziston edhe në shumë investime të tjera ndërtimore, nga objektet banesore deri te infrastruktura, ku çdo kompromis me ligjin përkthehet në rrezik real për sigurinë publike, ka transmetuar KlanKosova.
“Oda e Inxhinierëve rikujton qartë: Zbatimi i ligjit nuk është opsion dhe as çështje interpretimi – është detyrim ligjor dhe institucional. Prandaj, u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse: Të zbatojnë pa kompromis legjislacionin në fuqi”.
“Të sigurojnë që çdo projekt realizohet nga profesionistë të licencuar, brenda kompetencave të tyre. Të forcojnë mekanizmat e kontrollit dhe inspektimit. Të ndërmarrin masa konkrete ndaj çdo shkeljeje. Siguria publike nuk negociohet. Ligji duhet të zbatohet – në çdo rast, për çdo projekt”, thuhet në reagim.

