Zyrtare: Igor Tudori largohet nga Tottenhami, pas vetëm shtatë ndeshjesh

by Nexhat

Igor Tudori është larguar nga Tottenham Hotspuri me “marrëveshje të përbashkët”, ndërsa rreziku i rënies nga Premierliga e detyroi klubin të bëjë një tjetër lëvizje urgjente për të shmangur rënien nga elita për herë të parë që nga viti 1977.

Tudori, i emëruar në mënyrë surprizë kur zëvendësoi Thomas Frankun në shkurt, largohet pas vetëm 44 ditësh, pa arritur të përmirësojë situatën në klub.

banner

Ai po ashtu ndodhet në zi pas vdekjes së babait të tij, për të cilën u informua pas humbjes ndaj Nottingham Forestit javën e kaluar.

Humbja e rëndë 3-0 në shtëpi ndaj Forestit i la Spurs shumë pranë zonës së rënies, vetëm një pikë mbi West Ham Unitedin, me shtatë ndeshje të mbetura.

Ata nuk kanë fituar në 13 ndeshjet e fundit në Premierligë, seria më e gjatë pa fitore në elitë në 91 vite.

Në Evropë, forma ka qenë pak më e mirë, por gjithsesi zhgënjyese, me një humbje turpëruese 5-2 ndaj Atletico Madridit në ndeshjen e parë të Ligës së Kampionëve. Fitorja në ndeshjen e kthimit mbetet e vetmja nën drejtimin e Tudorit.

Menaxhimi i tij u vu në pikëpyetje serioze pas vendimit për të zëvendësuar portierin titullar Guglielmo Vicario me rezervën Antonin Kinskyn në Madrid, pavarësisht se ky i fundit kishte vetëm dy paraqitje këtë sezon dhe vetëm në Kupën e Ligës.

Kinsky debutoi në Champions ndaj Atleticos, por u zëvendësua pas vetëm 17 minutash katastrofike, ku pësoi tre gola.

Tudori u kritikua edhe më shumë pasi nuk e përshëndeti portierin 22-vjeçar kur ai po largohej drejt tunelit.

Vendimi për trajnerin e ri konsiderohet jetik për të ardhmen e klubit.

Thomas Franku kishte qenë shumë jopopullor, por emërimi i Tudorit – pa përvojë në Premierligë – rezultoi një bast i dështuar.

Ish-trajneri i Juventusit dhe Lazios kishte reputacion për ndikim të menjëhershëm, por këtë herë nuk funksionoi.

Ai kishte deklaruar se ishte “100%” i sigurt që Tottenhami do ta shmangte rënien, por humbja 4-1 ndaj Arsenalit në debutim u pasua nga një tjetër disfatë 2-1 ndaj Fulhamit.

Nga klubi janë larguar edhe trajneri i portierëve Tomislav Rogic dhe përgatitësi fizik Riccardo Ragnacci.

Në deklaratën zyrtare, Tottenhami konfirmoi ndarjen me Tudorin dhe stafin e tij, duke i falënderuar për punën dhe duke shprehur ngushëllime për humbjen familjare të trajnerit.

Sa i përket pasardhësit, Sean Dyche përmendet si kandidat i mundshëm.

Një rikthim i Mauricio Pochettinos është i komplikuar për shkak të angazhimit të tij me kombëtaren e SHBA-së për Kupën e Botës.

Ndërkohë, edhe emra si Harry Redknapp dhe Tim Sherwood janë përmendur si zgjidhje afatshkurtra.

Ndeshja e radhës për Tottenhamin është në transfertë ndaj Sunderlandit më 12 prill.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy