Kapiteni i Bosnjë dhe Hercegovinës, Edin Dzeko, ka deklaruar se Italia po përballet me presion të madh para finales së “play-off”- për Kupën e Botës.
Dzeko ka folur para mediave në prag të përballjes me Italinë, duke komentuar edhe një situatë që ka krijuar debat në rrjetet sociale, ku disa lojtarë italianë janë parë duke festuar fitoren e Bosnjës ndaj Uellsit.
“Është diçka normale, secili ka preferencat e veta. Nuk ka asnjë problem. Edhe Federico Dimarco më shkroi dhe kërkoi ndjesë, por nuk kishte arsye për reagime të tilla”, ka thënë Dzeko.
Megjithatë, ai ka shtuar se kjo sjellje tregon se Italia mund të jetë nën presion.
“Italia nuk donte të luante në Uells. Nëse një ekip i madh si Italia shmang kundërshtarë të tillë, atëherë diçka nuk shkon dhe ndoshta ndjejnë presion. Ata kanë munguar në dy Botërorët e fundit dhe kjo i rëndon”, ka deklaruar ai.
Italia, katër herë kampione bote, rrezikon të mbetet jashtë Kupës së Botës për herë të tretë radhazi, ndërsa Dzeko pret një ndeshje shumë taktike dhe të kujdesshme.
“Do të jetë një ndeshje shumë e kujdesshme nga të dyja skuadrat, duke pasur parasysh rëndësinë e saj”, ka thënë ai.
Dyzet vjeçari, i cili aktualisht luan për Schalke 04, vazhdon të jetë një nga lojtarët kyç të Bosnjës, duke shënuar çdo vit që nga debutimi i tij në vitin 2007.
“Sa kohë që ndihem mirë dhe mund të ndihmoj ekipin, do të vazhdoj të luaj”, është shprehur ai

