Me të gjitha votat për është formuar grupi punues prej pesë anëtarësh për shqyrtimin e aplikacioneve për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës(KGJK) nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit,
Kryesuesja e grupit punues është Blerta Deliu-Kodra ndërsa anëtarë janë, Vigan Qorroli nga LVV, Besnik Tahiri nga AAK, ndërsa nga komunitetet Erxhan Galushi dhe nga Lista Serbe është Ljiljana Stefanovic.
Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Përparim Gruda shpjegoi punën e grupit punues dhe propozoi që prej secilit grup parlamentar të caktohet nga një anëtar.
“Gjithsej kemi 23 aplikantë. Janë 19 aplikantë shqiptarë dhe katër serbë. Pra janë plotësuar kushtet për me u formua grupi punues për shqyrtimin e aplikacioneve të kandidatëve. Pasi grupi punues të mblidhet, përfundojë punën, kryesuesi i grupit punues në mbledhjen e radhës e njofton komisionin me gjeturat sa i takon kandidatëve dhe si komision dakordohemi për datën dhe kriteret e intervistimit të kandidatëve. Më lejoni t’ju informoj që aktualisht janë tri pozita të lira për plotësimin e përbërjes së Këshillit Gjyqësor të Kosovës si në vijim: Një anëtar nga radhët e jogjyqtarëve nga komuniteti shqiptar sipas nenit 108, paragrafi 6, nënparagrafi 2 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, përkatësisht amendamentit numër 25. Dy anëtarë nga komuniteti serb sipas nenit 108, paragrafi 6, nënparagrafi 3 të Kushtetutës, ku të paktën njëri prej tyre duhet të jetë gjyqtar”, ak thënë Gruda.
Ai ka shpjeguar se grupi punues duhet të mblidhet për të shqyrtuar dosjet e kandidatëve.
“Grupi punues pra duhet të formohet për t’i shqyrtuar dosjet e kandidatëve që i kemi përpara. Ju lutem që dosjet t’i ruani edhe për pjesëmarrje në mbledhjen e ardhshme po edhe kush zgjidhet anëtar i grupit punues t’i ruajë, sepse administrata nuk mund të bëjë kopje të tjera sepse është shumë voluminoze; që t’i kursejmë administratën. Runi këto kopje për intervistim, për fazën e intervistimit po edhe për punën në grupin punues për shqyrtim të aplikacioneve të kandidatëve. Unë propozoj që grupi punues që shqyrton dosjet e kandidatëve nuk është i përcaktuar në ligj sa anëtarë duhet t’i ketë propozimi im është që të përcaktojmë që të gjitha grupet parlamentare të kenë nga një anëtar“, tha Gruda.
Ndërsa, anëtari i Komisionit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi tha se nuk e ka problem se kush e kryeson grupin punues.
“Grupi punues ka përgjegjësinë si të tillë me i trajtua, domethënë aplikacionet në raport me kriteret e konkursit, me pa se a i përmbushin formalisht domethënë këta kandidatë kushtet e parapara në konkurs. Nuk kisha dashur me i dhënë ndonjë dimension politik kësaj faze, domethënë ky raporti pozitë-opozitë nuk është shumë relevant me thënë të drejtën në këtë fazë. Grupi punues në fund të fundit bëhet për me ekonomizuar punën e komisionit, se edhe vetë komisioni në përbërje të plotë mund të jetë grup punues i trajton dokumentacionet. Po meqenëse ideja është që mos me i mbajtë të angazhuar të 11 anëtarët, themelohet një grup me tre ose pesë anëtarë të cilët i trajtojnë aplikacionet dhe na sjellin një raport. Nuk e kam problem domethënë se kush e kryeson, si rregull është përgjithësisht deputeti i mazhorancës i drejton grupet punuese, por dakord jam nëse të tjerët janë dakord. Unë veç e kisha propozuar deputetin, Profesor Vigan Qorrollin, domethënë si anëtar të grupit“ u shpreh Rrustemi.
Kurse, anëtari tjetër po nga kjo parti, Vigan Qorroli derisa tha se pranon të jetë pjesë e grupit punues, shtoi se nuk është problem se a udhëhiqet grupi nga pozita apo nga opozita.
“Secili që e ka përgjegjësinë me vetë faktin e të qenurit deputet mund ta kryesojë legjitimisht, kështu që i takon komplet komisionit për me përcaktu këtë. Kështu që nëse ka eventualisht mospajtime a ta kryeson mazhoranca apo opozita, atëherë mundemi me qit në votim. Nuk është ndonjë farë problemi kjo”, tha Qorrolli.

