23 milionë euro ‘rritje’, 126 milionë euro humbje – Kryetari i AKK-së shpjegon situatën financiare të komunave

by Nexhat

Sipas Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), edhe pse buxheti i komunave është rritur nominalisht në vitin 2025, kjo rritje nuk ka sjellë përfitime reale për zhvillimin lokal.

Kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi, ka bërë të ditur se bazuar në të dhënat e Raportit të MAPL-së për funksionimin e komunave, buxheti i komunave është rritur nga 841 milionë euro në 2024 në 864 milionë euro në 2025, një rritje prej rreth 23 milionë euro.

banner

Megjithatë, pjesa më e madhe e kësaj rritjeje që është mbi 15 milionë euro, është shpenzuar për paga dhe mëditje, si rezultat i vendimeve qendrore për sektorin publik, ndërsa vetëm rreth 7.8 milionë euro kanë mbetur për investime, mallra, shërbime dhe projekte zhvillimore.

“Kjo tregon qartë se hapësira për projekte zhvillimore është shumë e kufizuar, edhe pse komunat po tregojnë përpjekje për të rritur të hyrat vetanake”, ka theksuar Ibrahim.

Ai ka vënë në dukje gjithashtu se komunave u janë marrë mbi 126 milionë euro gjatë vitit të kaluar për shkak të vendimeve gjyqësore, kryesisht të lidhura me obligimet nga kontratat kolektive të sektorit arsimor dhe shëndetësor. Rreth 27% e këtyre mjeteve janë shpenzuar për kosto procedurale, përmbarues dhe avokatë, pa u përfshirë drejtpërdrejt tek përfituesit.

“Krahasimi është i qartë: ndërkohë që buxheti është rritur për 23 milionë euro, komunat kanë humbur mbi 126 milionë euro, dhe pjesa më e madhe e rritjes nominale është konsumuar për paga dhe mëditje. Kjo nuk përbën mbështetje reale për komunat, por pasqyron një sistem ku rritja nominale neutralizohet nga vendimet qendrore dhe detyrimet e trashëguara”, ka shtuar Ibrahim.

Sipas kryetarit të AKK-së, komunat kanë nevojë për mbështetje reale që përkthehet në investime kapitale, zhvillim lokal dhe shërbime më të mira për qytetarët, dhe jo për rritje formale në letër.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy